Film

MKRS: Kosova drejt marrëveshjes bilaterale për bashkëprodhim filmik me Francën


Hajrulla Çeku - Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur i lumtur pas pjesëmarrjes në javën e Filmit Frankofon, ndërsa ka shprehur optimizëm për të ardhmen bashkëpunuese mes Kosovës dhe Francës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare të Facebook-ut, Çeku ka zbuluar se shteti kosovar dhe ai francez, synojnë që në të ardhmen e afërt të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale që përfshinë edhe bashkëprodhimin e filmave mes kineastëve të Kosovës dhe atyre të Francës.

Fotografi e shkrepur gjatë pjesëmarrjes së Hajrulla Çeku në javën e Filmit Frankofon.

“Mbrëmë kisha nderin të isha pjesë e panelit mbi perspektivat e bashkëprodhimit kinematografik në mes të Kosovës dhe Francës, që u mbajt në Kino Armata në përmbyllje të Javës së Filmit Frankofon”.

“Kjo konferencë vjen pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët më 16 nëntor për të avancuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Francës në fushat e kulturës, arsimit dhe diplomacisë publike, ndërsa tregon vullnetin dhe përkushtimin tonë që deri vitin e ardhshëm të nënshkruhet një marrëveshje për bashkëprodhim të filmave mes kineastëve të shteteve tona”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Në panel ishin të pranishëm Ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel,  drejtori i “Relais Culture Europe”, Pascal Brunet, Julien Ezanno nga Qendra Kinematografike e Francës dhe Lum Çitaku nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore