Sport

Mkhitaryan: Mourinho nuk donte që unë të largohesha nga Roma


Henrikh Mkhitaryan u largua këtë verë nga Roma për t’u bashkuar me skuadrën e Inter-it si futbollist i lirë, me të cilit nënshkroi kontratë dy-vjeçare.

Mesfushori armen ka thënë se trajneri i Romës, Jose Mourinho, nuk dëshironte që ai të largohej, por thjesht palët nuk arritën marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Isha i zhgënjyer që u largova nga Roma, kalova tre vite të mira atje dhe fitova Ligën e Konferencës. Megjithatë, të gjithë e dinë se futbolli ndryshon shpejt dhe në moshën 33-vjeçare unë ende dua të fitoj”, tha armeni për DAZN.

“Mourinho nuk donte që unë të largohesha. Jo vetëm ai, por edhe klubi. Në fund nuk arritëm një marrëveshje, kështu që mora vendimin për t’u larguar”, shtoi Mkhitaryan.

“Ishte mirë për mua dhe për Romën sepse tani ata morën Dybala-n, jam shumë i lumtur për ta”, deklaroi futbollisti nga Armenia.

Në fund, Mkhitaryan dha mendimet e tij për rikthimin e Romelu Lukaku-t, i cili u kthye në huazim te Inter-i vetëm një vit pas transferimit të tij prej 115 milionë euro te Chelsea.

“Kemi kaluar gjashtë muaj të mirë së bashku në Manchester United, e kuptuam mirë njëri-tjetrin në fushë dhe do të ndodhë edhe këtu. E gjeta përsëri më të fortë.”

Kujtojmë që gjatë tre viteve të tij në Romë, Mkhitaryan bëri 117 paraqitje në të gjitha garat. Ai shënoi 29 gola dhe dha 28 asistime në atë kohë, duke gjetur një frymë të re në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore