Lajme

Mitrovica e Veriut të premten mbanë seancën e betimit të kryetarit të ri të komunës


Elbert Krasniqi, Ministëri Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal

Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka treguar se këtë të premte të 19 majit, Mitrovica e Veriut do të organizojë seancën e betimit të kryetarit të ri të komunës, Erden Atiq.

“Kuvendi i Mitrovicës së Veriut ka dorëzuar njoftimin në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të premten organizon seancën e betimit të kryetarit të komunës”, ka thënë ministri Krasniqi në një konferencë për medie, pas takimit të përbashkët që kishin kryetarët e komunave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes të kuvendit komunal dhe ministrisë”, ka specifikuar ministri Krasniqi duke shtuar se seanca solemne do të organizohet në hapësirat e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

“Në sallën e kuvendit komunal, aty ku e ka vendin kryetari dhe asamblistët”, u shpreh i prerë ministri.

Ndërkaq në ditët në vijim do të betohen edhe kryetarët e tjerë të tri komunave të tjera të cilat kaluan në një proces të jashtëzakonshëm zgjedhorë më 23 prill.

“Unë i kam takuar ata kryetarë, dhe jemi dakorduar që individualisht që në secilën komunë ta organizojmë seancën e betimit të kryetarit e në ato vende ku duhet edhe konstituimit të kuvendit. Do të organizojmë edhe seancat në komunat tjera dhe do të shfrytëzojmë vullnetin e të zgjedhurve të qytetarëve në ato komuna veriore”, tregoi më tej Krasniqi.

Ai u shpreh i bindur edhe një herë që nuk do të rrezikohet mandati i asnjë kryetari dhe asnjë legjislature komunale, sepse janë duke respektuar afatet ligjore.

“Ligji e ka parapa secilin aspekt të organizimit të seancave të kuvendit”.

“Janë të parapara afatet ligjore që janë 3 herë nga 15 ditë dhe prej momentit kur konstituohet kuvendi fillon rrjedha prej afatit prej 30 ditësh për dhënien e betimit për kryetarët e komunave”, shpjegoi Krasniqi.

Ndër të tjera ministri i MAPL-së bëri të ditur se kryetarët e katër komunave veriore, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, “kërkojnë që ne si qeveri ti mbështesim, për çka është normale dhe ne po koordinohemi”.

Krasniqi ka folur rreth hapjes së urës së Ibrit.

Ai para mediave tha se po trajtohet ligjshmëria e këtij vendimi në ministri.

“Vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, aktualisht është në trajtim në Ministrinë tonë, kurdo që të përfundojë vlerësimi i ligjshmërisë së aktit ne do e dërgojmë te instancat tjera”, tha Krasniqi.

Në takim me kryeminsitrin Kurti, kryetarët e komunave diskutuan çështjen e tatimit në pronë e buxhetin e ndaluar nga Ministria e Financave

Çështja e të hyrave vetanake të Komunave është trajtuar mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar para gazetarëve Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Sa i përket të hyrave të komunave ministri i financave e ka dhënë përgjigjen e duhur në kuvend”, u shpreh Krasniqi, por, sipas tij, në këtë takim u dakorduan që kryetarët t’i drejtohen Ministrisë së Financave me kërkesa me shkrim, që ai më pas t’i trajtoj ato.

“Sot edhe një herë, ai (ministri i Financave) në emër të qeverisë e hapi derën për zgjidhjen e kësaj çështje. Ne vetëm po implementojmë një amendament të aprovuar në Kuvendin e Kosovës në ligjin e buxhetit, nëse duhet të ndryshohet ky amendament atëherë sot ministri i Financave edhe një herë u kërkoi kryetarëve që të bëjnë kërkesë dhe ai do të trajtohet”, sqaroi Krasniqi.

Kryetarët e komunave kanë kërkuar të dinë edhe rreth pagesës së tatimit në pronë, e cila u bë prpoblematike pas rritjes së çmimit të takimit dhe rivlerësimit të pronave.

“Ne si qeveri kemi implemnentuar ligjin”, tha Krasniqi, “është bërë një vlerësim i pronave dhe përgjegjësia i është dhënë ministrisë së Financave në vitin 2018”.

“Në bazë të kësaj është përcaktuar edhe përgjegjësia e secilit nivel. Tani është në plotësim ndryshim ligji i tatimit në pronë dhe sigurisht që do të trajtohen edhe niveli lokal por edhe propozimet tona nga niveli qendrorë”, tha Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim kryetarët e Komunave të Kosovës për të diskutuar për situatën në nivelin lokal të qeverisjes.

“Diskutojmë për situatën e nivelit lokal, situatën dhe iniciativat e nivelit qendrore, problematikat që i ngrisin komunat e qeveria dhe dakordanca për gjetjen e zgjidhjeve për interes të qytetarëve”, tha ministri Krasniqi.

Ky është takim i rregullt, sipas Krasniqit, i katërti me radhë që kur ka filluar mandatin qeveria e Albin Kurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore