Lajme

Mitet e funksionimit të trurit të adoleshentëve


Psikologia Terri Apter kujton kohën kur i shpjegoi një 18-vjeçari se si funksionon truri në adoleshencë.

“Kjo qenka arsyeja pse më duket sikur po më shpërthen koka”, ia ktheu djali.

Vitet e adoleshencës mund të ndjehen si një transformim tronditës.

Ndodhin ndryshimet e vështira hormonale që duhen kontrolluar, krizat e identitetit dhe uria për miratim shoqëror, një shije e re për rrezikun dhe aventurën dhe një paaftësi në dukje e plotë për të menduar për pasojat e ardhshme të veprimeve.

Në mes të këtij konfuzioni, adoleshentët vlerësohen vazhdimisht për potencialin e tyre akademik por një rekord i patëmetë i shkollës do ta bëjë shumë më të lehtë gjetjen e një vendi në një universitet prestigjioz, i cili nga ana tjetër do të zgjerojë mundësitë për punësim.

Megjithatë, luhatjet emocionale të atyre viteve mund ta bëjë jashtëzakonisht të vështirë për adoleshentët arritjen e potencialit të tyre intelektual.

Vetëm brenda dy dekadave të fundit shkencëtarët kanë qenë në gjendje të përshkruajnë ndryshimet nervore përgjatë kësaj periudhe thelbësore të zhvillimit.

Njohuritë e reja tregojnë se disa nga tiparet që të rriturit priren t’i kenë të vështira ose turbulluese te adoleshentët mund të shndërrohen në forcë dhe të përdoren për të fituar aftësi dhe njohuri në një kohë kur truri është ende i lakueshëm.

Adoleshenca është gjithashtu një kohë kërcimesh të ndryshme njohëse.

Adoleshentët ndërtojnë bazat që kishin mësuar si fëmijë të vegjël për të zhvilluar mënyra të sofistikuara dhe të pjekura të të menduarit, duke përfshirë arsyetimin më abstrakt.

Nuk është çudi që shumë adoleshentë, gjatë historisë, janë ankuar se janë ndjerë të keqkuptuar.

Shpjegimet tradicionale për sjelljen e adoleshentëve kanë qenë frustruese. Marrja e rrezikut, rebelimi, impulsiviteti dhe nervozizmi i tyre i përgjithshëm mund të fajësohen kaq lehtë për gjëra të tilla si injoranca dhe papjekuria.

Shpesh ankesat e tyre për ankthin emocional thjesht përqeshen.

Teksa këto shpjegime të mëparshme mund të kenë një të vërtetë, ato nuk marrin parasysh nuancat e përvojave të shumicës së adoleshentëve.

Intervistat e Apter me adoleshentët dhe prindërit e tyre sugjerojnë se adoleshentët shpesh dëshirojnë në mënyrë të dëshpëruar miratimin dhe pranimin e prindërve të tyre.

Nëse duam t’i ndihmojmë adoleshentët, Apter argumenton se duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje hollësive të asaj që adoleshentët po kalojnë në të vërtetë.

Kjo përfshin domosdoshmërisht një njohje të sikletit që mund të lindë nga ndryshimet fizike në trup dhe ndryshimet e pritshmërive sociale të vendosura mbi to. Në raste të tilla, ata mund të fillojnë të ndihen të huaj me veten e tyre.

Njëherazi, duhet të pranojmë ndryshimet anatomike që ndodhin brenda trurit.

Fëmijëria e hershme është periudha e ndryshimeve më të mëdha. Në muajt e parë të jetës, truri ndërton shumë lidhje midis neuroneve, përpara se të shkurtojë rrugët e tepërta nervore, gjë që lejon rrjete më efikase.

Ky plasticitet i lindur do të thotë se truri i fëmijës së vogël është veçanërisht i lakueshëm, duke i lejuar ata të kalojnë nga një foshnjë që rritet në një foshnjë që ecën dhe flet.

Në shumë zona të trurit këto rrjete priren të stabilizohen shumë përpara adoleshencës, gjë që e bën më të vështirë mësimin e disa aftësive perceptuese ose motorike.

Ndërsa truri i adoleshentëve mund të ketë humbur një pjesë të lakueshmërisë së fëmijërisë së hershme, zhvillimi i vazhdueshëm do të thotë se ata janë ende shumë të ndjeshëm ndaj stimulimit intelektual me një kapacitet të madh për të mësuar.

Kjo i lejon ata të ndërtojnë aftësitë dhe njohuritë akademike që kishin filluar të zhvillonin në fëmijëri dhe të zhvillojnë mënyra më të sofistikuara për të përjetuar botën.

Fatkeqësisht, ndryshimet neurologjike dhe psikologjike që ndodhin ndonjëherë mund të ndihen dërrmuese, një fakt që mund të shpjegojë shumë sjelljet që shkaktojnë kaq shumë përçarje në shkollë dhe në shtëpi.

Ndryshimet e humorit të adoleshentëve mund të shpjegohen në mënyrë të ngjashme nga ndërveprimi i proceseve fiziologjike dhe psikologjike që lidhen me maturimin.

Prindërit e adoleshentëve mund të habiten se sa kohë mund të kalojnë duke menduar për ndjenjat e tyre. Kjo është pjesërisht sepse ata nuk kanë mësuar ende se si t’i interpretojnë ato dhe të përgjigjen në mënyrë konstruktive.

Kur adoleshentët duken se janë “tepër dramatikë”, ata thjesht po mësojnë të lundrojnë vetë në kompleksitetin e botës së tyre emocionale.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore