Lajme

Misteri i zhdukjes së 2.1 milionëve


Ilustrim

Të hënën e 16 nëntorit të vitit 2020, Ministria e Infrastrukturës së Kosovës  vuri re se mungonin 2.1 milionë euro në buxhetin e saj për investime kapitale.

Por ishte tepër vonë për t’i kthyer 2.1 milionë eurot e transferuara nga thesari i Ministrisë së Financave në një kompani private “LDA Group” SH.P.K.

Anomalia kryesore që u vu re është një vendim i ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica.

Nëpërmjet vendimit, Fadil Fazliu në pozitën si certifikues i lëndëve, transferohej nga Zyra e Financave në Qendrën e Patentave të Shoferëve në Mitrovicë, por pa ia mbyllur llogarinë e tij bankare.

Zyrtari Kryesor Financiar, Besnik Hajdari dhe Zyrtari Kryesor Administrativ në atë kohë, sekretari Betim Reçica, do të duhej ta lajmëronin Ministrinë e Financave për transferimin e zyrtarit, në mënyrë të tillë që, Ministria e Financave të merrte masa për të bllokuar llogarinë e Fazliut, kështu që çdo keqpërdorim të bëhej i pamundur.

Labinot Gruda, zyrtar i thesarit në Ministrinë e Financave, i cili i ka kaluar 2.1 milionë euro kompanisë private, e ka pikasur që llogaria e Fazliut ishte pasive, por jo e mbyllur, dhe me emër të tij ka ekzekutuar pagesat.

Zyrtari certifikues, është dora e fundit e pagesave. Pasi zyrtarit certifikues i sillen të gjitha dëshmitë, ai krijon një dosje, e ngarkon në sistem dhe bën ekzekutimin e pagesës.

Albanian Post ka pyetur MF-në se a do të mund të evitohej vjedhja nëse llogaria do të kishte qenë e mbyllur, por këta të fundit kanë zgjedhur të mos japin sqarime. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në një përgjigje me shkrim vetëm ka bërë të ditur se rasti është në procedurë hetimore në Prokurori dhe janë dhënë të gjitha detajet e nevojshme, por nuk kanë dhënë asnjë sqarimet për pyetjen.

“Për çështjen në fjalë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka ndarë të gjitha detajet e mundshme me organin kompetent dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në përgjigje. Më tej thuhet se rasti është në procedurë hetimore në Prokurori.

“Tani rasti siç e dini është në procedurë hetimore në Prokurori, organ me të cilin ne jemi në kontakt të vazhdueshëm”.

Ish-ministria e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë për Albanian Post, se me të kuptuar informacionin janë lajmëruar edhe organet kompetente të sigurisë. Bajrami është pyetur në lidhje me llogarinë qe nuk ishte mbyllur me kohë, por për shkak të ndjeshmërisë ka kërkuar që t’i drejtohemi prokurorisë.

“Rastin e kam denoncuar, në momentin që e kam pranuar informacionin, në Prokurori, Polici dhe institucione tjera të sigurisë. Secilën përgjigje, për secilën situatë, për të gjithë procedurën zbardhjen e rastit i gjeni në Prokurori”, ka thënë Bajrami.

Bajrami nuk ka dhënë komente shtesë, duke menduar që çdo lloj informacioni dotë dëmtonte procesin e zbardhjes në këtë rast.

“Komentet shtesë për këtë rast vetëm sa do të dëmtonin procesin e zbardhjes së rastit, andaj, ju lutem t’i drejtoheni Prokurorisë për informacione shtesë”.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës, duke kërkuar sqarim në lidhje me mos mbylljen e llogarisë së zyrtarit Fazliu, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Edhe Prokuroria e Shtetit ka zgjedhur të heshtë, duke mos dhënë asnjë informacion. Ish-ministrja Bajrami kishte deklaruar se mbyllja e llogarisë së certifikuesit do ta pamundësonte kryerjen e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga thesari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore