Miratohet projektligji për “Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”
albanianpost
19.07.2022 15:39Komisioni i Ligjeve ka miratuar të martën e 19 korrikut unanimisht projektligjin për krijimin e një “Regjistri Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.
Mazhoranca dhe opozita kanë kaluar draftin për krijimin e këtij regjistri në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve.
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, si nismëtarja e projektligjit falënderoi kolegët e të dyja palëve në këtë komision.
Të martën e 14 dhjetorit, Komisioni për Sigurinë Kombëtare (KSK) miratoi në parim dy projektligje.
Këto të fundit, i referoheshin krijimit të një regjistri kombëtar – të të dënuarve për krime seksuale dhe autorëve të veprave penale me natyrë seksuale.
Në drejtimin e nënkryetarit Xhemal Qefalija, komisioni mori fillimisht në shqyrtim projektligjin “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.
Më pas u shqyrtua dhe projektligji “Për krijimin e regjistrit kombëtar të autorëve të veprave penale me natyrë seksuale”.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, komisioni miratoi në parim të dyja projektligjet.
Xhixho ishte asokohe pjesë e punimeve në cilësinë e propozueses.
Deputetja sqaroi gjatë fjalës së saj se projektligji është përgatitur në bashkëpunim me një ndër organizatat kryesore të shoqërisë civile “CRCA”.