Shqipëria

Miratohen fondet e rindërtimit dhe huaja saudite për Vlorë-Orikum


Këshillimi i Ministrave ka miratuar ndryshimet dhe shtesat për fondet e rindërtimit të banesave dhe njësive të banimit të ndërtuara nga tërmeti. Ndër të tjera, është miratuar në parim edhe marrëveshja e huas saudite për rrugën Vlorë-Orikum. Kjo e fundit ngjalli debate të shumta midis Kryeministrisë dhe Presidencës në dhjetor të 2020-ës.

Vlera e fondit për rindërtim është në masën e 17 miliardë e 572 milionë lekë. Shuma do të shkojë për njësitë e banimit në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar. Këtu përfshihen bashkitë Durrës, Kavajë, Kamëz, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

Mbi 563 milionë lekë ndërkohë do të shkojnë për financimin e rindërtimit të banesave. Këto do të jenë në formë grantesh rindërtimi. Bashkitë e përfshira janë ato të Shijakut dhe Lezhës. Në Shijak shkojnë 200 milionë. Pjesa e mbetur e shumës i kalon Lezhës.

Për personat që do të përfitojnë nga fondi i rikonstruksionit, do të shpërndahen 5 milionë e 350 mijë lekë fonde. Kjo shumë jepet vetëm për të dëmtuarit në Bashkinë Vorë.

Fondi saudit për Vlorë-Orikum

Është miratuar në parim edhe fondi saudit për rehabilitimin e rrugës Vlorë-Orikum. Shuma e përftuar nga marrëveshja shqiptaro-saudite do të jetë rreth 30 milionë dollarë.

Vendimi për të rehabilituar objektet përgjatë kësaj rruge ndërkohë, shfuqizohet. Marrëveshja përfshinte edhe objektet në afërsi të rrugës bregdetare. Tashmë ato nuk do të jenë pjesë e planit të zhvillimit nëpërmjet këtij fondi.

Marrëveshja për këtë rrugë ka sjellë më parë përplasje midis presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Kreu i Qeverisë ka akuzuar drejtpërdrejt Metën, duke cilësuar se ky i fundit “po bllokonte projektin e rrugës”.

Nga ana tjetër, nga Presidenca kanë ardhur akuza se “Qeveria nuk kishte përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore për informacion”.

Sipas deklaratës për shtyp nga Presidenca, “kreu i shtetit ka kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion mbi mos respektimin e procedurave kushtetuese”.

Tashmë që marrëveshja është miratuar në parim, pritet nëse presidenti do ta dekretojë atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore