Lajme

“Miqtë e Artë” të presidentit të Qipros


Presidenti qipriot, Nicos Anastasiades dhe biznesmeni saudit  Abdulrahman bin Khalid bin Mahfouz

“Pasaporta e Artë”.

Kështu është cilësuar dhe emërtuar një program, i cili i jep mundësinë njerëzve të korruptuar, kleptokratëve, oligarkëve dhe kriminelëve, të marrin nënshtetësinë e evropiane, nën vulën e Qipros.

Presidenti qipriot, Nicos Anastasiades, është vënë në lupë si “miku i artë” i këtyre personave.

Një hetim i Projektit Raportues i Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), ka nxjerrë në dritë të dhëna mbi çështjen, duke ngritur akuzat se Anastasiades, po ndihmon persona të rrezikshëm të marrin nënshtetësinë qipriote. Rrjedhimisht, një pasaportë nën siglën e Bashkimit Evropian.

Dhënia e këtyre pasaportave u ndalua në tetorin e vitit 2020. Kjo, pasi media Al Jazeera, zbuloi fakte mbi ndihmën që po i jepej një krimineli kinez nga politikanë në Qipro, për të marrë nënshtetësinë e ishullit pjesë të BE-së.

Për këtë shkak, ka qenë vetë BE-ja, ajo e cila ka e parë në sy faktin. Në rast se do të kishte të tillë qytetarë të cilët thyenin rregullat, pasojat, do t’i mbante shteti ishullor.

Reforma u premtuan që asokohe. Mirëpo, pyetjet mbeten të larta për rastin në fjalë.

Lidhje e ngushtë është vërtetuar gjithashtu midis Anastasiades-it – firma ligjore e familjes të të cilit siguronte “pasaporta të arta” – dhe biznesmenit saudit  Abdulrahman bin Khalid bin Mahfouz. Këtij të fundit, i është vënë në dyshim nënshtetësia e marrë nga Qipro.

Akuza direkte nuk janë shpalosur nga organet e posaçme, por hetime mësohet se janë kryer.

Ndërsa, vetë parlamentarët qipriotë, e kanë akuzuar presidentin për lidhjet me biznesmenin saudit.

Sipas tyre, bin Mahfouz ka bërë një deklarim fals, ku parashtrohet se ka kërkuar të investojë në Qipro. Mirëpo, një investim i tillë nuk është as në letër, e jo më në realitet.

“Miqtë e Artë”

Bin Mahfouz është veç një nga të përfolurit për dhënien e nënshtetësisë. Në qershor 2014, ai pati një takim të pazakontë me Anastasiades-in, kryepeshkopin e Qipros Chrysostomos dhe drejtorin e Bankës së Qipros, John Hourican.

Iniciativa për marrjen e nënshtetësisë, erdhi vetëm pak muaj më pas.

Por, skenari nuk ndalet vetëm me bin Mahfouz, pasi 36 pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, aplikuan për nënshtetësi. Ata u cilësuan si pjesë e grupit të investimit që do të realizohej.

Vetëm në vitin 2019, do të fillonin të hetoheshin këto lëvizje. Kjo, pasi një media qipriote, ngriti shqetësim mbi çështjen.

Investuesit sauditë kishin paguar rezidencat e tyre me 10 milionë euro mbi vlerën e çmimit të tregut. Por, investime, nuk ishin parë.

Këto parregullsi, ishin veçse maja e ajsbergut të gjetjeve.

Hetime mbi parregullsitë nuk u morën deri në shkurt 2020. Në atë kohë, drejtoresha e njësisë kundër pastrimit të parave, deklaroi se kishte marrë vesh për çështjen vetëm nëpërmjet mediave.

Përtej kësaj, në inspektimin e kryer, filluan të dilnin parregullsi mbi sigurimin e “pasaportave të arta”.

Të gjithë pjesëtarët e familjes, të cilët u pajisën me to, duhet të kishin një rezidencë personale në Qipro sipas rregullave. Por, shumica prej tyre, janë regjistruar nën të njëjtën adresë.

Pagesat mbi vlerën e tregut ishin të dyshimta. Ndër të tjera, ka dyshime të qenësishme se banesat e blera nga bin Mahfouz, kanë qenë në pronësi të miqve të Anastasiades-it.

Ajo që më shumë ra në sy më pas, ishte se duke pasur të deklaruara pasuri të paluajtshme në Qipro, sauditi duhet të paguante taksat. Por, ai ka paguar rreth 600 mijë euro më pak, falë ndërhyrjes së Anastasiades-it.

Një skemë e vërtetë përfitimi mes dy palëve.

Presidenti qipriot i ka mohuar të gjitha akuzat për favore me sauditin. Çështja, shkoi deri aty sa bin Mahfrouz të deklaronte se do të hiqte dorë nga nënshtetësia.

Gjithsesi, nëse e ka bërë ose jo, kjo nuk dihet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore