Shqipëria

Minoritetet, sa po punohet për përfshirjen e tyre?


Çështja e minoriteteve ka tërhequr vëmendjen dhe është përcaktuar si problem që prej Luftës së Parë Botërore.

Gjatë luftërave në vazhdim, si ato Ballkanike, Lufta e Dytë Botërore apo krijimi e, më pas, ndarja e Jugosllavisë, lindi nevoja e përcaktimit të disa detyrimeve që binin mbi shtetet që kishin minoritete brenda territorit të tyre të ri.

Angazhimet e Shqipërisë, për të ruajtur solidaritetin dhe mirëkuptimin midis etnive, i kanë fillimet që kur u pranua në Lidhjen e Kombeve, në vitin 1920.

Të drejtat dhe liritë e minoriteteve janë sanksionuar nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, të hartuara në përputhje të plotë me standardet e njohura ndërkombëtare.

Sipas përkufizimit, “minoritet është një grup shtetasish shqiptarë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar, shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare ose tradicionale”.

Programet e partive politike në Shqipëri për minoritetet

Partia Socialiste

Partia Socialiste (PS), gjatë qershorit të vitit 2020, ka propozuar draftin për përdorimin e gjuhës së minoriteteve, si dhe të drejtën e vendosjes së tabelave, sinjalistikës, toponimeve, lagjeve dhe shesheve në gjuhën e tyre, në çdo njësi administrative në të cilën ato përbëjnë të paktën 20% të popullsisë.

Një tjetër risi dhënë nga PS, gjatë qeverisjes së saj, ishte e drejta për emërtimin e njësisë administrative, rrugëve e shesheve, territoreve, krahas gjuhës shqipe edhe në gjuhën e pakicës kombëtare.

Një draft tjetër është në diskutim, që kur ishte ministër i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku thotë se një grup prej 300 personash mund të aplikojnë për t’u njohur si pakicë kombëtare në Shqipëri.

Gjithashtu në program të PS-së shkruhet se ajo synon mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të individëve që u përkasin pakicave kombëtare apo grupeve të ndryshme shoqërore larg çdo lloj ekstremizmi, racizmi apo diskriminimi.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një fjalimi të mbajtur me përfaqësues të minoritetit grek në Gjirokastër, ka thënë se ndarja e re administrative është bërë sepse vlerësohet si me rëndësi çdo pakicë kombëtare, pa diskutim, “si një urë e fortë lidhëse traditash, kulture e miqësie”.

Prandaj, shtoi ai, u dhamë jetë faktikisht tre bashkive me numër të konsiderueshëm minoriteti: Dropullit, Finiqit dhe bashkisë tjetër, edhe më të vogël akoma, të Pustecit.

Sipas premtimit të Ramës, gjatë mandatit të tretë, do t’u jepet zgjidhja edhe problematikave të minoriteteve me pronat.

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Për Albanian Post u prononcua zëdhënësi për shtyp i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Olgert Thomollari, i cili theksoi që “pakicat duhet të zhvillohen e mbrohen si pasuri e shoqërisë”.

Programi i PBDNJ-së për pakicat konsiston në ndalimin me ligj dhe në praktikë të çdo diskriminimi, kërcënimi, armiqësie apo dhune të qytetarëve, si pasojë e identitetit të tyre etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar.

Thomollari thotë që programi i partisë së tij lejon që minoritetet, të cilat banojnë tradicionalisht apo në numër të konsiderueshëm në një rajon të Shqipërisë, t’u sigurohet përdorimi i gjuhës së tyre në marrëdhëniet me autoritetet administrative.

PBDNJ, vazhdon ai,  u jep të drejtën e vendosjes së emrave tradicionalë vendas, emrat e rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë për publikun edhe në gjuhën e pakicës.

Zëdhënësi sqaron se PBDNJ parashikon që minoritetet kanë të drejtë të ndërtojnë dhe drejtojnë institucionet e tyre arsimore dhe kualifikuese private.

“Ne jemi kundër një shoqërie homofobike dhe kundër diskriminimit të individëve, për shkak të identitetit dhe orientimit të tyre seksual”, përmbyll Thomollari.

Ditën e martë më 30 mars, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u prit zyrtarisht në Athinë nga ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias.

Ky i fundit është shprehur se ai dhe Greqia mbështesin fuqishëm pakicën greke në Shqipëri dhe inkurajojnë gjithë pjesëtaret e komunitetit grek të votojnë për përfaqësuesit e tyre në parlamentin e ardhshëm të vendit.

“Greqia është në anën e Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri“, shkruhet në postim në Twitter, të Ministrisë së Jashtme Greke.

Partia Drejtësi Integrim Unitet

Zëdhënësja e Partisë Drejtësi Integrim Unitet (PDIU) u prononcua për Albanian Post, duke sqaruar që programi 2021-2025 i PDIU-së, nuk ka asnjë pikë për sa u përket minoriteteve në Shqipëri.

Partia Demokratike

Zëdhënës të Partisë Demokratike (PD) kanë thënë për Albanian Post se PD akoma nuk e ka publikuar çdo pikë të programit të saj 2021-2025.

Por, siguruan ata, PD-ja do të ketë pika të veçanta për minoritetet në vend.

Lëvizja Socialiste për Integrim

Për Albanian Post, kandidatja për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) për qarkun Elbasan, Sindi Laloshi, shpjegon se LSI ka qënë dhe do mbetet gjithmonë e hapur, e në gadishmëri për të forcuar marrëdhëniet me të gjithë aktorët.

Pika më kryesore e programit tonë, thotë ajo, është të miratojë ligjet që respektojnë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari shqiptar pavarësisht përkatësisë etnike.

Çfarë është bërë deri tani për minoritetet në Shqipëri? 

Shqipëria ka nëntë minoritete, që janë: greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe ajo bullgare.

Edhe para viteve 1990, shteti shqiptar është paraqitur si mbrojtëse e minoriteteve, sidomos atyre greke dhe maqedonase.

Deri tani, në vend nuk është regjistruar asnjë rast ku pakicat kombëtare të jenë konfliktuar me njëra-tjetrën apo me popullin shqiptar.

Sipas Kushtetutës shqiptare, anëtarëve të minoriteve u mundësohet e drejta e vetidentifikimit, e mbrojtjes nga diskriminimi, e organizimit dhe përfaqësimit.

Pakicave kombëtare u është siguruar liria e besimit dhe e drejta për të qenë pjesëmarrëse në jetën publike, kulturore, sociale dhe ekonomike.

Gjithashtu, shteti shqiptar, për të respektuar traditat dhe zakonet e pakicave, u ka dhënë të drejtën që të ruajnë identitetin e tyre kulturor, të arsimohen në gjuhën e tyre, të shprehin mendimin dhe të flasin gjuhën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore