Lajme

Minneapolis/ Përsëri protesta për vrasjen e një afro-amerikani nga policia


Gaz lotsjellës dhe një shtetrrethim është vendosur pas protestave të zemëruara në veri të Minneapolis, të ardhura si pasojë e vrasjes së një personi afro-amerikan nga policia.

Viktima u identifikua nga të afërmit si 20-vjeçari, Daunte Wright.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, tha se ai ishte “duke e vëzhguar nga afër situatën” dhe po lutej për familjen Wright.

Tensionet në Minneapolis janë të larta pasi edhe gjyqi i ish-oficerit i akuzuar për vrasjen e George Floyd është në zhvillim e sipër.

Ngjarjet e fundit në qytet

Qindra protestues që brohorisnin emrin e Daunte Wright u përplasën me policinë, të dielën vonë në Brooklyn Center, vetëm disa kilometra në veri të qendrës së Minneapolis-it.

Agjencia e lajmeve Reuters, raporton se dy automjete policie u qëlluan me gurë.

Më vonë, policia urdhëroi protestuesit të shpërndahen duke përdorur gazi lotsjellës.

Mediat lokale raportuan plaçkitje që ndodhën në disa zona.

Kryebashkiaku, Mike Elliott, njoftoi në Twitter se do urdhëronte shtetrrethim në të gjithë qytetin deri në orën 06:00 me kohën lokale.

“Ne duam të sigurohemi që të gjithë të jenë të sigurt. Ju lutemi të rrini të sigurt dhe shkoni në shtëpi,” shkroi ai.

Mediat lokale kanë raportuar së në Brooklyn Center janë mbyllur të gjitha shkollat, programet dhe aktivitetet për të hënën.

Çfarë ndodhi me Daunte Wright?

Zëdhënësi i Departamenti i Policisë së Qendrës Brooklyn tha të dielën pasdite, se oficerët pasi kishin ndaluar një person për shkelje të rregullave të trafikut, vunë re që ai kishte një urdhër arresti.

Sipas policisë, kur oficerët u përpoqën ta arrestonin, Wright hyri përsëri në automjet.

Më pas një nga oficerët qëlloi shoferin, makina e të cilit lëvizi për disa metra para se të përplasej me një automjet tjetër. Ai u shpall i vdekur në vend.

Pasagjerja femër në automjet pësoi lëndime por është jashtë rrezikut për jetën, shkruan agjencia mediatike BBC.

Policia tha se edhe kamerat e trupit edhe kamerat në makinë ishin të aktivizuara gjatë gjithë ngjarjes.

Nëna e Daunte Wright, Katie ka kërkuar më shumë informacion. Ajo tha për televizionin lokal, StarTribune, se trupi i djalit të saj ishte lënë në tokë nga oficerët.

Kryebashkiaku Elliott tha se të shtënat ishin “tragjike” dhe Guvernatori Walz tha se “Shteti ynë vajton një jetë tjetër të një njeriu me ngjyrë, të marrë nga forcat e rendit.”

 

Pse Minneapolis është në situatë kritike?

Janë bërë dy javë që kur gjyqi i vrasjes së Derek Chauvin mbi vdekjen e George Floyd ka filluar.

Gjatë një operacioni arrestimi në Minneapolis, majin e kaluar, Chauvin u filmua duke vendosur gjurin në qafën e Floyd për më shumë se nëntë minuta.

Pamjet e incidentit nxitën protesta globale kundër racizmit.

Gjyqi pritet të zgjasë të paktën një muaj dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit tashmë janë përgatitur për trazira të mundshme sapo juria të arrijë verdiktin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore