Teknologji

Minneapolis, hapa pas për influencuesit


Minneapolis, qytet në Minnesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka hequr dorë nga planet për të paguar ndikuesit e medias sociale, të cilët do të ndanin informacione gjatë gjyqit të ardhshëm që do të mbahet për ish oficerin e policisë, Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e George Floyd-it.

Agjensia amerikane e lajmeve, ABC News, zbulon se influencuesit e zgjedhur të mediave sociale në qytet u njoftuan për anulimin e planeve nëpërmjet një email-i zyrtar.

Greta Bergstrom, drejtoresha e komunikimit të Minneapolis-it dhe David Rubedor, drejtori i marrëdhënieve me komunitetin, kanë qenë përfaqësuesit që konfirmuan planet e anuluara të iniciativës së ndërmarrë.

ABC News ka zbuluar se në email-in e dërguar kërkohej njëfarë kohe për të adresuar rekomandimin, i cili përdorte ndikuesit e mediave sociale si pjesë e strategjive të shpërndarjes së informacionit. Dhe se kjo ishte një nga mënyrat për të arritur shumë prej banorëve, të cilët nuk përdornin mënyrat tradicionale të shkëmbimit të informacionit në qytet.

“Teksa ne e besuam dhe e mbështetëm qëllimin e rekomandimit, vumë re se ndikimi shkaktoi dëme”, shkruhej në e-mail duke vazhduar se “do të na duhet të punojmë për të riparuar dëmin që është shkaktuar dhe në këtë pikë, ne nuk do të vazhdojmë më me këtë strategji”.

Sipas faqes zyrtare të qytetit, planet fillestare ishin që Minneapolis-i të realizonte partneritete të paguara me anëtarë të komunitetit që përfaqësojnë një imazh të besuar në mediat sociale. Detyra e tyre qëndronte te ndarja e mesazheve të krijuara dhe të aprovuara nga faqja e qytetit.

Propozimi mbulonte një buxhet prej 12 mijë dollarësh, respektivisht 2 mijë dollarë për secilin influencues që do të ndante informacionin gjatë gjykimeve të ish oficerit, duke cituar një nga zëdhënësit e qytetit.

Mirëpo, planet ndeshën në debate të forta dhe mospranime nga banorët e qytetit, të cilët ishin të shqetësuar për synimin dhe motivet e këtij projekti. Ata janë shprehur se kjo lëvizje tenton të ndalojë protestat e tyre që priten të mbahen ditën e gjykimit të ish oficerit.

Nga ana tjetër, në Minneapolis janë marrë masa me gardhe dhe tela me gjëmba për të mbrojtur gjykatën, bashkinë dhe burgun e qytetit nga protestuesit.

Kjo pasi ish oficeri i policisë, Derek Chauvin, i cili u akuzua për vrasje të shkallës së dytë, pritet të dalë para gjyqit në datë tetë mars.

Çfarë ndodhi me George Floyd-in?

George Floyd-i u vra vitin e kaluar në mënyrë mizore nga ish oficeri i policisë, Derek Chauvin, i cili vendosi gjunjët te qafa e Floyd-it duke e lënë atë pa marrë frymë.

Në vendngjarje ndodheshin edhe tre policë të tjerë, të cilët u pushuan nga puna dhe u akuzuan se kishin ndihmuar në vrasje.

Vrasja e George Floyd-it pasoi me protesta të dhunshme kundër racizmit në të gjithë globin dhe thirrje të shumta për reformë policore, të nxitura nga lëvizja Black Lives Matter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore