Sport

Ministrja Xhaçka sqaron situatën me pasaportat diplomatike të lojtarëve të Kombëtares


Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, nëpërmjet një reagimi në median sociale ka sqaruar çështjen e heqjes së pasaportave diplomatike për lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë.

Lojtarët dhe stafi teknik i Kombëtares së Shqipërisë që ishte pjesë e Euro 2016, u pajisen me pasaporta diplomatike, pas një VKM të datës 23 qershor 2016, pas përfundimit të aventurës së kuqezinjëve në Kampionatin Europian.

Ditën e enjte të 1 prillit 2021, një shkresë zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulkut, thuhej se subjektet e FSHF që janë pajisur me këto pasaporta duhet t’i dorëzojnë. Sipas VKM së 12 qershorit 2019 dhe e ndryshuar më 24 dhjetor 2020, i cilësonte si kategori që nuk e gëzojnë të drejtën për ripajisje me pasaporta diplomatike.

Ministrja Xhaçka, ka shkruar në Facebook, duke thënë se pasaportave diplomatike të lojtarëve të Kombëtares dhe stafit, u ka mbaruar vlefshmëria dhe duhet të dorëzohen sipas rregullave, por asnjë nga personat që ka marrë një pasaport të tillë, nuk do e humb të drejtën për ta rimarrë përsëri.

“Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron, siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti”, shkruan Xhaçka.

“Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë”.

“Është kjo arsyeja, përse djemtë tanë, sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore