Lajme

Ministrja gjermane pret vendime të mira nga negociatat e 13 majit në Bruksel


Christine Lambrecht, Ministre gjermane e Mbrojtjes

Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, ka deklaruar Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, e cila qëndoi në Kosovë të enjten pasdite.

Ajo u shpreh pret që në takimin e 13 majit në mes të dy delegacioneve negociuese të arrihen marrëveshje të mira.

Këto qëndrime Lambecht i shpalosi në një konferencë për medie, pas takimit me krerët e shtetit në Kosovë.

”Ne do t’ju qëndrojmë përkrah në rrugën e procesit të anëtarësimit të Kosovës si një vend partner mbështetës, dhe këtu duhet të bëhet e qartë se cilët hapa janë të qartë të ndërmerren në procesin e përafrimit në dialog dhe shpresoj të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel”.

”Hapat e parë do të mund të ishin edhe vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve në këtë aspekt dhe do të ishte një sinjal i mirë”.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka thënë se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën ushtarakisht, kryesisht përmes pranisë së saj në KFOR.

Tha se Gjermania e mbështet edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE dhe se do t’i ofrojë ndihmë edhe më tutje.

“E kam siguruar palën kosovare se qëndrojmë përkrah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake. Do të mbetemi të angazhuar përmes KFOR-it. Do ta vazhdojmë angazhimin tonë edhe sa i përket trajnimit të FSK-së në mënyrë që ajo të marrë përgjegjësinë e saj në të ardhmen”, ka thënë Lambercht.

Christine Lambrecht, Ministre gjermane e Mbrojtjes dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në anën tjetër, kryeministri Kurti shprehi shpresën e tij që me 13 maj të arrihet një marrëveshje përfundimtare për targat, energjinë e papaguar të veriut, por edhe për përshpejtimin e procedurave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”, theksoi Kurti.

Christine Lambrecht, Ministre gjermane e Mbrojtjes dhe Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes së Kosovës

Lambrecht, është takuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj i cili takim konsiderohet si i pari i ketij niveli, Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë me atë të Kosovës.

“U bisedua lidhur me situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, të reflektuara nga agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën”, thuhet në komunikatën dërguar medieve, pas takimit.

Më tej, në këtë takim u bisedua për raportet e mira në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ku një kontribut të madh në përafrimin e dy vendeve ka dhënë diaspora kosovare në Gjermani, e integruar mirë, ku numri i tyre është rreth 400 mijë.

Ministri Mehaj theksoi se që të dy vendet gjithashtu ndajnë vlerat e përbashkëta në qeverisjen demokratike dhe kërkoi përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Ministrja Lambrecht mundësinë e bashkë-zbarkimit të trupave të FSK-së  në misione ndërkombëtare, ku trupat gjermane janë të angazhuara.

Në këtë takim u përmend mundësia e ripërtëritjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të dy vendeve si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes SOFA.

Lambrecht paraprakisht ka vizituar Serbinë, ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiç.

Në Serbi, Lambrecht deklaroi se Gjermania nuk dëshiron që Ballkani Perëndimor të destabilizohet, derisa shtoi se bisedimet duhet të zhvillohen.

“Nuk duam që Ballkani Perëndimor të destabilizohet. Është me rëndësi të zhvillohen bisedimet dhe të promovohet stabiliteti në Ballkan Perëndimor. Ne mbështesim afrimin me BE-në”.

“Më është bërë e qartë se sa ndikim ka Serbia në stabilitetin në Ballkan Perëndimor dhe për këtë kam thënë se është me rëndësi që edhe Serbia të japë sinjal të qartë se sa i rëndësishëm është integriteti territorial i Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë pyetje kemi pasur bisedime shumë të rëndësishme”, ka thënë Lambrecht, raportoi B92.

Ky takim i Kurtit me Lambrecht, vjen vetëm një ditë pas atij me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe darkës, zyrtarisht, joformale me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore