Lajme

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, thirrje homologëve: Nuk ka shkëputje nga NATO-ja


“Harrojini idetë tuaja për vetëmbrojtje të kontinentit dhe kthehuni me këmbë në tokë!”

Ka qenë ky mesazhi i përcjellë nga ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, për homologët e saj evropianë, të cilët kanë shprehur “një dëshirë”, për të dalë nga aleanca transatlantike NATO.

Kramp-Karrenbauer ka hedhur poshtë idenë e autonomisë strategjike evropiane, e cila shkaktoi një ngërç diplomatik me presidentin francez Emmanuel Macron.

Ndërsa udhëheqësit evropianë e kanë cilësuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) si kaotike dhe kanë bërë thirrje për më shumë fuqizim ushtarak të Evropës, Kramp-Karrenbauer ka një tjetër mendim.

Ajo argumenton se, këto ngjarje tregojnë se Evropa dhe SHBA-të duhet të bashkëpunojnë më shumë nga afër për të qenë më efektive ushtarakisht.

“Është folur shumë për autonominë, sovranitetin evropian. Njerëzit po pyesin pse ne nuk ishim në gjendje ta mbanim vetë aeroportin e Kabulit”, tha Kramp-Karrenbauer në një intervistë në zyrën e saj në Berlin.

Kjo përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Ajo u shpreh hapur se, pa aftësinë e amerikanëve, evropianët nuk do ta kishin realizuar dot.

Ministrja u ka bërë thirrje evropianëve që të pyesin veten se si të bëhen të aftë për të vepruar brenda NATO-s dhe jo jashtë aleancës.

Vitin e kaluar, Kramp-Karrenbauer i bëri thirrje Francës dhe BE-së, të kapërcejnë “iluzionet” e autonomisë së ardhshme nga SHBA-ja.

Kina dhe NATO

“NATO do të duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te Kina”, tha ajo

Sipas saj, detyra më e madhe tani është të pranojmë se pyetja se si të sillemi me Kinën është shumë më tepër sesa çështja e interesave kombëtare.

BE-ja dhe NATO-ja po rishikojnë strategjitë e tyre të sigurisë përpara samiteve të vitit të ardhshëm.

Ato përpjekje paralele dhe pjesërisht të mbivendosura janë një “mundësi unike” për të rregulluar marrëdhëniet midis dy unioneve.

Takimet e kësaj jave në selinë e NATO-s do të përfshijnë një diskutim të ashpër mbi “mësimet e nxjerra” nga tërheqja nga Afganistani, si dhe dështimet më të gjera të një lufte dy dekadash.

Deklarata e kreut të NATO-s

Jens Stoltenberg, ish-kryeministri norvegjez, i cili do të japë dorëheqjen vitin e ardhshëm pas gati tetë vitesh në krye të NATO-s, tha se aleatët do të kërkojnë “zvogëlimin e aktiviteteve” jashtë kufijve të tyre.

Por, në të njëjtën kohë, ata do të rrisin qëndrueshmërinë e tyre të brendshme në një nivel më të mirë.

“Kina po na afrohet. Ne i shohim ata në hapësirën kibernetike. Ne i shohim ata të investojnë shumë në infrastrukturën kritike në vendet tona”, tha ai.

Sipas tij, Kina ka gjithnjë e më shumë armë me rreze të lartë që mund të arrijnë në të gjitha vendet aleate të NATO-s.

Kina testoi një raketë hipersonike me aftësi bërthamore në gusht, duke demonstruar një aftësi të avancuar të armëve me rreze të gjatë.

Kjo befasoi inteligjencën amerikane dhe nënvizoi përparimin e shpejtë ushtarak që Kina ka bërë në armët e gjeneratës së ardhshme.

Stoltenberg tha se, Rusia dhe Kina nuk duhet të shihen si kërcënime të ndara.

“Para së gjithash, Kina dhe Rusia punojnë ngushtë së bashku”, tha ai.

Stoltenberg u shpreh se, tërheqja e nxituar e forcave të NATO -s nga Afganistani në gusht ishte “një zgjedhje e qartë” pas vendimit të SHBA-ve për t’u larguar nga vendi.

Sipas tij, ndërsa ushtritë evropiane mund të kenë qenë në gjendje të qëndrojnë pa mbështetjen e SHBA, udhëheqësit politikë nuk mund të justifikojnë një prani të vazhdueshme.

Marrë nga Politico, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore