Shqipëria

Ministrja gjermane e Evropës, para vizitës në Shqipëri: Të fillojnë bisedimet për anëtarësimin në BE


Ministria gjermane e Evropës, Anna Lührmann, do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në takimin e saj me Këshillin e Ministrave të Evropës, që u mbajt më 14 dhjetor në Bruksel, ajo kërkoi fillimin e konferencave ndërqeveritare me të dy vendet.

Në mesazhin e saj para udhëtimit drejt Tiranës e Shkupit, ministrja gjermane për Evropën ka deklaruar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se “të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë bisedimet”.

Sakaq, siç bëhet e ditur nga një njoftim i Ministrisë së Jashtme Gjermane, në Shkup, më 17 janar, ajo do të takohet me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski.

Po ashtu edhe me kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin e emëruar, Bojan Mariçiç, ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Vizita zyrtare në Shqipëri

Ministria gjermane e Evropës, Anna Lührmann, do të mbërrijë në Shqipëri të martën e 18 janarit.

Fillimisht, ministrja do të takohet me kryeministrin e vendit, Edi Rama, me zëvendësministren e Jashtme, Megi Fino, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të zhvillojë edhe një takim me Albert Hanin, kryetari i Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

Në Tiranë, ajo do të adresojë në biseda dypalëshe problemet e mundshme dhe do të diskutojë për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Politikë që në moshën 10-vjeçare

Anna Lührmann është 38 vjeçe, por politikën e ka nisur qysh në moshë të re.

Në moshën 19-vjeçare, ajo ka qenë deputetja më e re në moshë e Bundestag-ut Gjerman.

Më pas ka punuar si profesore.

Emërimi i saj në postin e ministres së Evropës, erdhi si vendim i ministres së Jashtme, Annalena Baerbock.

Në vitin 2002, në një intervistë, ajo kishte thënë se kishte marrë pjesë në diskutime politike qysh në moshën 10-vjeçare.

Pas dy legjislaturash të suksesshme për partinë e gjelbër u caktua të shkonte në Sudan si anëtare e Komisionit Parlamentar për Çështje të Jashtëm.

Në këtë periudhë iu përkushtua më shumë karrierës shkencore, si politologe. Më pas ka marrë edhe titullin profesore junior dhe docente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore