Shqipëria

Ministrja e Arsimit uron maturantët për provimet e Maturës Shtetërore


Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, përmes një video të publikuar në median sociale Facebook, të mërkurën e 2 qershorit, ka uruar maturantët para testit të parë të maturës shtetërore.

Kushi shprehet që “jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që keni pasur gjatë këtij viti të pazakontë”, prandaj dhe këto do i reflektojë në procesin e hartimit dhe administrimit të testeve në Maturën Shtetërore.

“Dua të ju siguroj që në këtë pikë ne jemi dhe do të vijojmë të jemi shumë të kujdesshëm  në mbështetjen tuaj, në mënyrë që secili prej jush të vlerësohet nga njëra anë duke konsideruar vështirësitë e këtij viti por nga ana tjetër edhe me meritokraci”, tha Kushi në videon e saj.

Ndër të tjera, ministrja ka shprehur dhe mirënjohjen për durimin dhe mirëkuptimin që nxënësit kanë reflektuar gjatë këtij viti akademik.

“Ju do të mbaheni mend si një maturë që pavarësisht kushtëzimeve që solli pandemia Covid-19 dhe tërmeti i 26 nëntorit, u përshtatët në një kohë rekord dhe nuk humbët asnjë sekondë nga procesi i mësimnxënies!”, ka thënë Kushi duke inkurajuar maturantët “të japin më të mirën”.

Në përmbyllje të video- mesazhit, Kushi uroi “Shumë suksese dhe mbarësi për të gjithë ju!”

Kur do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore?

Provimet e Maturës Shtetërore 2021 do të zhvillohen nga “data 3 qershor deri më datë 15 qershor”.

Ky është njoftimi i Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR), e cila ka nisur përgatitjet që në fillim të vitit akademik 2020-2021.

Sipas udhëzimit, provimet e Maturës Shtetërore do të fillojnë në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasin dy orë e 30 minuta. Testet e Maturës Shtetërore janë hartuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, ku secili test do të vlerësohet me 60 pikë maksimale.

Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet më 3 qershor 2021, ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 7 qershor, i matematikës më 11 qershor. Kurse i fundit, ai i lëndës me zgjedhje, më 15 qershor. Secili provim ka një diferencë katërditore nga tjetri.

Hartimi i tezës

Qendra e Shërbimit Arsimor (QSHA), si institucion, merret me saktësimin e strukturës së testit, përmbajtjes së saj dhe me mënyrën e zbatimit të programit orientues. Sipas drejtoreshës, do të tregohet vëmendje për llojet e pyetjeve dhe përmbajtjes së tyre.

“Do të mundohemi të kemi një test të ekuilibruar dhe të menaxhueshëm nga ana e vështirësisë. Të mos i kalojë ato nivele që mund të kenë qenë normale vitin e kaluar si vështirësi, por që këtë vit maturantët mund të mos kenë mundur t’i marrin të gjitha”, sqaron Vrapi për AP-në.

Masat e pandemisë në shkolla

Ndonëse shihet se Komiteti i Ekspertëve i ka lehtësuar masat në lidhje me pandeminë, sërish MASR ka vendosur të tregohet e rreptë me masat kundër pandemisë Covid-19.

Ajo shprehet se, pavarësisht se ditëve të fundit pandemia është lehtësuar, do të vazhdojmë sikur jemi në kushte që kemi qenë vitin e kaluar.

“Te rregullorja e MSH ka një seksion, që ka të bëjë me mjedisin në kushte pandemie. Do të respektohet distanca, kushtet e higjienizimit, hyrja nëpër shkolla. Të gjitha këto janë pjesë e rregullores së maturës shtetërore”, tha drejtoresha e QSHA-së, Vrapi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore