Shqipëria

MEPJ publikon numrat e emergjencës për shtetasit shqiptarë në vendet e prekura nga përmbytjet


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka bërë publikë numrat e Ambasadës së Shqipërisë në vendet e prekura nga përmbytjet.

Ministria e Jashtme udhëzon shtetasit shqiptarë, të cilët ndodhen në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Zvicër dhe Luksemburg, të kontaktojnë numrat e emergjencës. Në këtë mënyrë mund të merren informacione apo ndihma nga përfaqësia jonë diplomatike në këto vende.

Në njoftim shkruhet gjithashtu se ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe trupat diplomatikë shqiptarë në vendet e rrezikuara nga përmbytja, janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase për të ndarë çdo informacion të nevojshëm.

Kontaktoni në numrat e mëposhtëm, të publikuara nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ambasada e RSH-së në Berlin: +49 174 861 9587

Ambasada e RSH-së në Belgjikë: +32 485 401 237

Ambasada e RSH-së në Holandë: +31 616 275 159

Ambasada e RSH-së në Zvicër: +41 774 099 729

Situata në Gjermani

Në Gjermani, deri më tani numërohen 81 viktima nga reshjet masive. Mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe fati i tyre nuk dihet.

Bilanci përfundimtar mund të jetë ai i një skenari post-apokaliptik!

Neuenahr-Ahrweiler është rajoni më i goditur. Qindra operacione shpëtimi janë zhvilluar. Mijëra të tjerë priten të ndodhin së shpejti.

Situata në Belgjikë

Përtej kufirit, në Belgjikë, guvernatorja e Provincës Liege, Catherine Delcourt, tha se të paktën dy persona kishin humbur jetën dhe se disa të tjerë ishin zhdukur.
Katër trupa u gjetën gjithashtu të enjten në rrethin belg lindor të Verviers, konfirmoi prokurori i qytetit.

Banorët në Chaudfontaine, në brigjet e lumit Vesdre, filluan të evakuohen të mërkurën pasdite. Operacioni i evakuimit pritej të përfshinte deri në 1 mijë e 700 njerëz.

Evakuimet holandeze

Autoritetet në qytetin jugor holandez të Valkenburgut, afër kufijve gjermanë dhe belgë, evakuuan një shtëpi kujdesi dhe një bujtinë brenda natës. Kjo erdhi pasi përmbytjet e kthyen rrugën kryesore të qytetit turistik në një lumë.

Qeveria holandeze të mërkurën dërgoi rreth 70 trupa në provincën jugore të Limburg për të ndihmuar në transportimin e të evakuarve dhe mbushjen e thasëve me rërë ndërsa lumenjtë dilnin nga shtratet e tyre. Nuk kishte raporte të lëndimeve të lidhura me përmbytjet në Holandë.

Liqenet zvicerane, rrezik përmbytjesh

Në Zvicër, reshjet e mëdha të shiut kanë ngopur tokat dhe kanë shkaktuar rrëshqitje të dherave.

Autoritetet në Gjenevë rekomandojnë që të mos ecet përgjatë lumenjve dhe të mos zbritet në Rhône, për shkak të rrëshqitjeve.

Niveli i Liqenit të Gjenevës është gjithashtu shqetësues për autoritetet.

Rreziku i përmbytjes ishte i lartë në brigjet e Liqenit të Cyrihut dhe lumit Limmat dhe autoritetet u kanë kërkuar njerëzve që, për arsye sigurie, të mos shkojnë në pyje, pasi stuhitë e dhunshme dhe erërat që tejkalojnë 100 km / orë rrezikojnë të thyejnë pemët.

Liqeni i Lucernit, në Zvicrën qendrore, gjithashtu paraqet një rrezik shumë të lartë përmbytjesh.

Sipas autoritetit të Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB), disa kalime malore dhe tunele janë mbyllur dhe trafiku hekurudhor është ndërprerë në disa pjesë të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore