Ministria merr vendim, “TV Klan Kosova” në prag të mbylljes
Klan Kosova.
Altina Marmullaku
28.07.2023 16:47Televizioni më i madh në Kosovë “Klan Kosova” mund të mbyllet krejtësisht, pasi Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se ka refuzuar ankesën e televizionit për rikthimin e licencës së operimit.
Sipas njoftimit të MINT “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.
Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.
“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet në njoftim.
Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për ‘pronarët e vërtetë të subjektit’ KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si ‘Kosovo’, ndërsa shteti i vet ende si ‘Serbia’, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”.
Ministria pas këtij vendimi ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj.
“Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Pas këtij vendimi, “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.
Çfarë ndodhë tash, a mbyllet Klan Kosova?
Sic ka sqaruar avokati Yll Zekaj për Albanian Post, se “në momentin që iu është refuzuar ankesa, do të thotë që i merret certifikata e biznesit, tash e ka si zgjidhje vetëm procedurën gjyqësore”.
Zekaj thotë se “Klan Kosova duhet të bëjë padi në Gjykatën Komerciale, departamenti administrativ me propozimin përcaktimin e masës së përkohshme, pastaj gjykata i ka tri ditë afat kohe të vendos për shqyrtimin e kësaj ankese”.
Nëse edhe Gjykata Komerciale, pra departamenti administrativ, vendos kundër ankesës së Klan Kosovës, atëherë mediumi mbyllet, sepse nuk ka licencë për operim si biznes në Kosovë.
Çka ndodhi me Klan Kosovën?
Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.
“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.
Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.
Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.
Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.
Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.
Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.