Shqipëria

Ministria e Shëndetësisë udhëzon qytetarët në prag të ditëve të ftohta: Merrni masa paraprake


Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri ka publikuar një udhëzues me masa paraprake në prag të ditëve me temperatura të ulëta.

Sipas institucionit shqiptar fillimisht bëhet me dije se kategoritë më të rrezikuara nga i ftohti janë foshnjet, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

“Kujdesuni në mënyrë të veçantë për këto kategori, të cilët janë më të rrezikuar nga temperaturat e ulëta të dimrit”, nënvizon ministria.

Për autoritetin shëndetësor në vend duhet të sigurohemi që të jemi në një ambient të ngrohtë e me temperaturë konstante në shtëpi dhe punë.

Së dyti, duhet të kemi një veshje sa më të rehatshme të ngrohtë, rezistente ndaj erës dhe shiut, kapele dhe doreza si dhe këpucë kundër ujit.

Në lidhje me dietën ushqimore, duhet të konsumojmë produktet e stinës në sasi të mjaftueshme.

Kjo, pasi ushqimi i siguron trupit energji dhe ngrohtësi në ditë të ftohta.

Sa i takon emergjencave, ministria ravijëzon mbajtjen e rezervave në shtëpi.

Në rastet ekstreme të motit, duhet të kemi ujë të pijshëm dhe ushqime të cilat nuk kanë nevojë për frigorifer si rezervë.

Një nga këshillat e ministrisë lidhet edhe me mbrojtjen nga monoksidi i karbonit – referuar ngrohjes me prush.

Bombolat e gazit, sipas autoriteteve, duhet lënë jashtë shtëpisë, bodrumit apo garazhit.

Dhe në raste emergjencash kur nuhatet prania e gazit, duhet të lini menjëherë shtëpinë dhe të njoftoni autoritetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore