Lajme

Ministria e Mbrojtjes: Ushtria e Kosovës funksionon sipas standardeve të NATO-s, ajo e Serbisë sipas doktrinës ruse


Ilustrim

Ministria e Mbrojtjes të Kosovës, nëpërmjet një ilustrimi të publikuar në llogarinë e saj në “Facebook”, ka paraqitur disa nga dallimet thelbësore mes Kosovës demokratike e paqësore dhe Serbisë luftënxitëse e aleate e Rusisë.

“Republika e Kosovës vend me aspirata në NATO; Serbia është aleati më i ngushtë i Rusisë. Sankasione ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainës; Asnjë sanksion ndaj Rusisë pas agresionin në Ukrainë”, thuhet në ilustrimin e ministrisë.

Përderisa Forcat e Armatosura të Kosovës janë trajnuar dhe shkolluar sipas standardeve të NATO-s, nënvizoi Ministra e Mbrojtjes, ato të Serbisë janë të trajnuara dhe të shkolluara sipas doktrinave ushtarake të Rusisë.

“Ushtria e Republikës së Kosovës funksionon me doktrinë mbrojtëse; Ushtria e Serbisë me doktrinë ofensive/pushtuese”, thuhet tutje në postimin e ministrisë me titullin “Kriza e veriut dhe informimi i Ministrisë së Mbrojtjes”.

Gjithashtu, aty përmeden se Kosova është kontribuese e paqes në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Serbia është destabilizuesi i vetëm. Kjo edhe për faktin se shteti serb është shkaktar i katër luftërave në rajon: Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.

“Kosova është shteti më pro-amerikan; Serbia është bashkëpunore e Kinës dhe Rusisë. Kosova nuk ka sulmuar asnjëherë ndonjë shtet; Serbia është shtet gjenocidal dhe me pretendime territoriale”, thuhet mes tjerash në shkrimin e ministrisë.

Ndryshe, ky reagim vjen vetëm pak ditë pasi Kosova u përjashtua nga rreshti i stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO-ja “Defender Europe ’23”, pas vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpenzuan afërsisht dy vjet për t’u bërë gati për stërvitjen më të madhe të aleatëve të NATO-s në rajon “Defender Europe ‘23”, por nuk mundi ta çonte deri në fund misionin e saj, duke humbur një mundësi mjat të madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore