Shqipëria

Ministria e Jashtme shqiptare dënon sulmin terrorist në Jerusalem


“Dënojmë me forcë sulmin frikacak terrorist në Jerusalem sot. Ne i dënojmë pa rezerva sulme të tilla. Asgjë nuk justifikon sulmet pa dallim kundër civilëve”.

Ky ishte reagimi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, pasditen e 21 nëntorit, për sa i përket sulmit terrorist nga grupi i Hamas-it në Jerusalem, ku mbeti i vdekur një person dhe katër të tjerë u plagosën.

Më tej Ministria shprehu mbështetjen dhe ngushëllimet për këtë sulm. “Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për të lënduarit dhe familjen e viktimës”.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e vjetër të Jerusalemit, rreth orës 09:00, kur një palestinez 42-vjeçar i armatosur me një armë zjarri të llojit automatik, ka filluar të qëllojë mbi njerëzit.

Arma e zjarrit e përdorur nga vrasësi

Policia ka ndërhyrë menjëherë në një shkëmbim zjarri, që ka rezultuar fatal për autorin.

Vetë grupimi Hamas, e pranoi autorësinë e sulmit, duke e quajtur një “operacion heroik”. Terroristin e identifikoi si pjesë e organizatës Fadi Abu Shkhaydam. Ai ishte drejtues i një kampi refugjatësh në Jerusalemin lindor, ku edhe jetonte.

Zjarri fillimisht u hap ndaj tre kalimtarësh, në lagjen e njohur si Chain Gate. Një pre tyre mbeti menjëherë i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

Të parat në vendngjarje kanë qenë dy oficere policie. Më pas, dy policë të tjerë iu bashkuan atyre për të neutralizuar autorin. Gjë që u arrit në fund.

Pamje nga vendi i ngjarjes

Dy prej policëve mbetën gjithashtu të plagosur në vendngjarje.

Për publikun, një pjesë e mirë e Jerusalemit është bllokuar dhe nuk mund të kalohet. Kjo, të paktën deri në përfundim të hetimit të ngjarjes.

Ky incident vjen katër ditë pas vrasjes së një djali 16-vjeçar palestinez në Izrael.

Vetë grupimi Hamas, u fut në listën e zezë të Britanisë së Madhe më 19 nëntor. Një sërë shtetes e kanë përcaktuar atë si grupim të mirëfillte terrorist.

Konflikti izraelito-palestinez

Konflikti izraelito-palestinez i ka rrënjët dekada më parë dhe luftimet e 14 majit 2021 treguan se çdo zgjidhje afatgjatë mund të jetë akoma larg.

Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe, në fakt, e aneksoi atë më vonë.

Rrjedhimisht, autoritetet nuk e konsiderojnë Lindjen si territor të pushtuar, por të gjithë qytetin si kryeqytetin e tij – një pretendim i panjohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare.

Një poster i 17-vjeçarit palestinez Mohammad Hamayel në një derë të një klase, në fshatin Beita, në jug të qytetit të Nablus-it në Bregun Perëndimor

Më 14 maj, Izraeli filloi bombardimin intensiv të Rripit të Gazës me sulme ajrore dhe predha artilerie, ndërsa rriti vendosjen e trupave dhe tankeve.

Kjo përplasje ka rezultuar në bombardimet më të rënda të Gazës që nga lufta 50-ditore midis Izraelit dhe Hamass-it në vitin 2014.

Të paktën 219 njerëz, përfshirë gati 100 gra dhe fëmijë, u vranë në Gaza. Autoritetet e Hamass-it nuk kanë dhënë shifra të viktimave për luftëtarët. Ndërsa në Izrael, 12 persona, përfshirë dy fëmijë, mbeten të vdekur.

Tensionet më të shumta midis Izraelit dhe palestinezëve janë në Jerusalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Përplasjet e fundit pasuan një muaj të tensioneve në rritje në Jerusalem, megjithëse konflikti ka qenë i pranishëm për dekada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore