Lajme

Ministria e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi: “S’duhet t’i bashkohemi Ballkanit të Hapur”


Duke pasur parasysh interpretimet e shumta politike që janë të pranishme në opinion rreth nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, Ministria e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, e kryesuar nga ministrja dhe zëvendëskryeministrja Jovana Maroviç, paraqiti një dokument të titulluar “Analiza e avantazheve dhe disavantazheve të pjesëmarrjes në nismën rajonale Ballkani i Hapur”.

Sipas analizës së ministrisë, Mali i Zi nuk duhet të bëhet pjesë e inciativës sepse sipas tyre, nisma është akoma në fazën fillestare dhe nuk ka të dhëna specifike për vijimësinë e saj.

“Duke qenë se Ballkani i Hapur është ende në fazën eksperimentale, pa të dhëna konkrete për suksesin e projektit, Mali i Zi nuk duhet të marrë vendim për anëtarësim”, thuhet në dokument, transmeton ‘Analitika’.

Dokumenti sugjeron se mekanizmat ekzistues të integrimit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë një bazë e mirë për vazhdimin e integrimit rajonal.

“Çdo qëllim dhe mekanizëm tjetër bashkëpunimi që sjell nisma e Ballkanit të Hapur mund të arrihet potencialisht përmes mekanizmave të ekzistues”.

Megjithatë, siç vlerësojnë ata, mekanizmat ekzistues mbeten anonim dhe të pamjaftueshëm për t’ua shpjeguar qytetarëve të zakonshëm, dhe përfitimet që rrjedhin nga CEFTA dhe CRM dhe iniciativat e tjera nuk i komunikohen publikut në mënyrë të duhur.

“Prandaj, është e nevojshme të vëzhgohen dhe vlerësohen me kujdes rreziqet dhe përfitimet për ekonominë dhe shoqërinë malazeze”.

“Kjo është arsyeja pse një nismë si Ballkani i Hapur në fakt duket joshëse, ajo drejtohet vazhdimisht nga tre liderë që përsërisin gjithmonë se është një projekt ekonomik që nuk ka të bëjë me pikëpamje të ndryshme politike apo interesa gjeopolitike”, shtohet tutje.

Udhëheqësit premtojnë se përfitimet ekonomike të qytetarëve do të ndihmojnë për të kapërcyer çdo problem politik historik apo bashkëkohor, të gjitha me synimin që vendet të anëtarësohen lehtësisht në BE.

“Kultura politike e rajonit nuk është mjaft e zhvilluar që integrimi ekonomik të kapërcejë problemet politike dhe stagnimin në progres, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24, të cilët kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës”.

Për përkujtim, ata theksojnë se në kuadër të procesit të negociatave me BE-në, Mali i Zi ka kohë që ka hapur katër kapituj që kanë të bëjnë me katër liritë themelore me të cilat ka të bëjë në radhë të parë nisma e Ballkanit të Hapur.

“Ne besojmë se përvoja malazeze në këtë çështje mund të përdoret më mirë për përparimin e rajonit përmes integrimit evropian në ato nisma që janë përgatitur së bashku dhe që kanë mbështetjen e plotë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së”, përfundon analiza.

Ky dokument, sipas mediave lokale, është hequr nga rendi i ditës së Komisionit për Sistemin Politik, Politikën e Brendshme dhe të Jashtme dhe nga Komisioni për Politikën Ekonomike dhe Sistemin Financiar, me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, Marko Kovaç,

Ndryshe, zëvendëskryeministrja për Politikë të Jashtme dhe ministrja e Çështjeve Evropiane, Jovana Maroviç ka dhënë dorëheqje gjatë ditës me arsyetimin se iu pamundësua përshpejtimi i integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore