Lajme

Ministri turk pret veprime konkrete nga Kosova për çështjen e “FETO-s”


Hulusi Akar dhe Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj gjatë ditës së martë me ceremoni shtetërore ka pritur në takim, Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, ku me ç’rast ky i fundit pas takimit në një konferencë për media ka thënë se pret nga institucionet e Kosovës veprime konkrete në lidhje me çështjen e “FETO-s”.

Sipas Akar, çështja e FETO-s nuk është kërcënuese vetëm për Turqinë, por edhe për Kosovën.

“Në këtë aspekt, nga miqtë tanë kosovarë dhe institucionet kosovare presim të marrin veprime konkrete. Në këtë rast edhe njëherë dua ta falënderoj ministrin Mehaj për këtë mikpritje të sinqertë dhe të ngrohtë”, tha Akar.

Për Ministrin Akar, marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë shumë të rëndësishme marrë parasysh këtu edhe lidhjet historike që kanë këta dy shtete.

Armend Mehaj dhe Hulusi Akar

“Turqia si një shtet i Ballkanit natyrshëm i përcjell të gjitha zhvillimet nga afër në këtë pjesë të botës, Kosova ka një vend shumë të rëndësishëm për ne, ne synojmë që të zhvillojmë edhe më shumë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Kosovën dhe prandaj zhvillohen edhe këto takime mes palëve, çështja e paqes, integritetit dhe sovranitetit të Kosovës janë shumë të rëndësishme për Turqinë”, ka shtuar ai.

Ndërsa në anën tjetër Mehaj gjatë konferencës së përbashkët për media ka potencuar se Kosova nuk do ta harrojë kontributin që ka dhënë Turqia.

Ai madje e cilësoi Turqinë si njërin nga kontribuesit më të mëdhenj në ngritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj asnjëherë nuk e harron kontributin e Turqisë por edhe kontributin që ka dhënë Turqia në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së. Republika e Turqisë është një prej kontribuuesve më të rëndësishme të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së dhe ne do ju jem mirënjohës”, ka thënë Mehaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore