Lajme

Ministri serb i Mbrojtjes: Pozicionuam ushtrinë në kufirin me Kosovën


Milosh Vuçeviç

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë,  Milosh Vuçeviç, ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Serbisë, pas urdhrit të presidentit, Aleksandër Vuçiç, tashmë janë pozicionuar në vijën kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Vuçeviç, në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, ka bërë të ditur gjithashtu se Vuçiç ka lëshuar urdhër për ngritjen e shkallës së gatishmërisë ushtarake në nivelin më të lartë pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zënë pozicionet e tyre të caktuara që ishin të përcaktuara në përputhje me planet tona të mbrojtjes, planet strategjike, si dhe me veprimet operative dhe taktike të Forcave të Armatosura të Serbisë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”, ka pohuar ai.

Ndryshe në lidhje me vendimin e Ushtrisë së Serbisë për t’u vënë në shkallën më të lartë të gatishmërisë ushtarake ka reaguar Blerim Vela – shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani.

Sipas tij çdo infiltrim i njësive të maskuara me rroba civile të ushtrisë serbe në Veri, mund të rrezikojë paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Situata e krijuar në Veri, sipas Velës ka të bëjë me faktin se regjimi përfaqësues i Rusisë në Beograd po përshkallëzon situatën për të siguruar mbijetesën e tij.

“Regjimi piromanik i Serbisë ka urdhëruar ushtrinë e tij të grumbullohet në kufirin me Kosovë. Çdo infiltrim në Veri nga njësitë ushtarake të maskuara në formë civile do të rrezikojë paqen dhe stabilitetin e rajonit. Regjimi përfaqësues i Rusisë në Beograd po përshkallëzon situatën për të siguruar mbijetesën e tij”, ka shkruar ndër të tjera Vela në Twitter.

Çfarë ndodhi?

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në këto dy komuna Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Ndryshe në Komunën e Leposaviqit situata është më ndryshe, pasi në disa pika atje janë ngritur tashmë barrikada nga serbët lokal.

Barrikadat, sipas raportimit të mediave, janë vendosur edhe në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Komunës së Leposaviqit.

Serbët në Kosovë kanë shkarkuar edhe zhavorr në njërën anë të rrugës që të shpie te Komuna e Leposaviqit.

Veriu i Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore