Lajme

Ministri Peci dhe Krifca do jemi shembull i një bashkëpunimi të mirëfilltë mes Kosovës dhe Shqipërisë


Faton Peci, vizitoi homologen e tij Frida Krifca

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, vizitoi homologen e tij, Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Shqipërisë, Frida Krifca, ku diskutuan rreth mundësisë së bashkëpunimit në bujqësi mes Kosovës e Shqipërisë.

Përgjatë këtij takimi të dy homologët u dakorduan që të krijojnë grupe ekspertësh në nivel teknik dhe administrativ që të gjejnë modalitetet e rritjes së shkëmbimit tregtarë për prodhimet bujqësore dhe eliminimin e barrierave të panevojshme.

Peci thotë se synimi i tyre është t’i përmbushin kushtet për akreditimin në IPARD të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në mënyrë që sektori i bujqësisë në Kosovë të jetë përfitues i fondeve të tilla zhvillimore.

“Gjatë këtij takimi bashkëbiseduam gjatë për mundësitë konkrete të bashkëpunimit institucional për arritjen e objektivave të përbashkëta, si dhe pashë nga afër një ndër historitë e shumta të suksesit, pikën grumbulluese të pemëve dhe perimeve në Lushnjë përfituese të fondeve IPARD, pronari i të cilit është nga Kosova”, është shprehur Peci.

Ndërkaq, edhe ministrja Krifca shprehi gatishmërinë para tij se do të vazhdojnë të mbesin të përkushtuar për të arritur objektiva që kanë për synim zhvillimin e bujqësisë, në mënyrë që produktet e dy vendeve të jenë konkurruese me ato të vendeve të zhvilluara evropiane.

Ministri Faton Peci dhe Frida Krifca

Të dy ministrat u shprehën se do të përkushtohen në të mirë të zhvillimit të sektorit mes të dyja shteteve me qëllim që të jenë shembull i një bashkëpunimi të mirëfilltë rajonal.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim të avancimit të politikave të duhura zhvillimore për sektorin e bujqësisë të të dyja vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore