Lajme

Ministri në Tajvan pranon përgjegjësinë për përplasjen e trenit


Ministri i Transportit i Tajvanit, Lin Chia-lung, të dielën e 4 prillit, tha se ai nuk do të heqë dorë nga përgjegjësia që i takon për përplasjen vdekjeprurëse të trenit.

Kërkesa e tij për dorëheqje u refuzua.

Në aksidentin më të rëndë hekurudhor në shtatë dekada, 51 persona janë konfirmuar të vdekur, pasi treni u përplas me një kamion afër qytetit lindor të Hualien të premten e 2 prillit, duke dalë nga shinat.

Lin Chia-lung tha se ai “nuk do të shmangte” përgjegjësinë.

“Unë jam gjithashtu përgjegjës për minimizimin e dëmit të shkaktuar nga i gjithë aksidenti. Pasi të ketë përfunduar e gjithë puna e shpëtimit, do të marr përgjegjësinë”.

Lee Yi-hsiang, menaxheri i  kantierit të ndërtimit, kamioni i të cilit dyshohet se ka shkaktuar një përplasje me trenin, kërkoi falje për atë që ndodhi, ndërsa policia e largoi nga banesa e tij të dielën, raportuan mediat në Tajvan.

“Jam penduar thellë për këtë dhe shpreh ndjesën time më të thellë. Unë, patjetër që do të bashkëpunoj me prokurorët dhe policinë në hetim, do të pranoj përgjegjësinë që duhet të mbahet dhe kurrë nuk do ta shmang atë”,  tha ai.

Treni del nga binarët

51 persona kanë vdekur nga përplasja e një treni në Tajvan. Thuajse 500 njerëz ishin në bord dhe autoritetet ende po përpiqen të nxjerrin personat e bllokuar në tunel.

Të paktën 146 njerëz janë plagosur, në atë që u quajt tragjedia më e madhe hekurudhore e ishullit aziatik në shtatë dekada.

Mendohet se treni ka goditur një kamion, ndaj ka dalë nga shinat duke rezultuar në tragjedi.

Mjeti, i cili po udhëtonte nga Taipei në Taitung, raportohet se transportonte turistë dhe punëtorë. Ngjarja ndodhi në Hualien, në pjesën lindore të Tajvanit.

Rreth 350 ishte numri tërësor i pasagjerëve. Nga këta, pjesa më e madhe janë shpëtuar. Mbeten gjithsesi rreth 70, të cilët kanë mbetur nën rrënoja. Gjendja e tyre ende nuk është bërë e ditur.

Forcat zjarrfikëse raportohet se janë në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e pasagjerëve nga aty.

Në dy nga vagonët, situata është më e vështirë pasi janë deformuar.

Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve, një kamion i parkuar në mënyrë të gabuar ka qenë shkaku. Ai ka rrëshqitur drejt binarëve, duke goditur trenin me pasagjerë.

“Treni ynë goditi një kamion. Ai po rrëshqiste drejt nesh”, ka thënë një nga pasagjerët për gazetarët.

Nga pamjet e para bien në sy pasagjerët e evakuuar, disa prej të cilëve me dëmtime të rënda.

Linja hekurudhore në Tajvan është mjaft e re dhe moderne. Aksidente të tilla janë të pazakontë për vendin aziatik.

Hetuesit ndodhen në vendin e ngjarjes duke mbledhur prova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore