Lajme

Ministri Murati premton pako të re të rimëkëmbjes


Hekuran Murati, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së 18-të të Qeverisë së Kosovës ka premtuar pako të re të rimëkëmbjes prej 1.1 miliardë euro, e cila do t’i shërbejë zhvillimit ekonomik të vendit.

Në mbledhjen e qeverisë, ku është prezantuar edhe raporti i punës prej 100-ditësh të Qeverisë së Kosovës, Murati ka treguar se pakoja në fjalë do të shërbejë për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Rishikim buxhetor na ka bërë që të rrisim kufijtë e shpenzimeve, sepse janë rritur të hyrat, rritje që na ka mundësuar të dizajnojmë një pako të rimëkëmbjes, e cila do të ketë një ndikim shumë të madhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijim të vendeve të reja të punës”, ka thënë ai.

Ministri Murati më tutje ka treguar se sa është e paraparë edhe vlera e pakos në fjalë.

“Pako gjithsej kap vlerën e 420 milionë euro, si dhe mobilizon dhe 700 milionë euro të tjera që është kapital nga grantet dhe sektori financiar. Gjithsej kontributi i kësaj pako do të jetë 1.1 miliard euro”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij, ai ka prezantuar edhe punën që e ka bërë dikasteri i tij në këto 100 ditë pune.

Fillimi i emetimit të bonove të diasporës apo shpalosja e kornizës afatmesëm të shpenzimeve ishin disa nga punët që u veçuan nga ministri në fjalë.

“Gjatë periudhës 100-ditore, Ministria e Financave ka proceduar në mbledhje të qeverisë 34 vendime, ku ndër të tjera ka qenë korniza afatmesme e shpenzimeve, fillimi i emetimit të bonove të diasporës apo mbulimin e kartonit të gjelbër, kemi pasur negocim dhe nënshkrim të shumë marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, po ashtu kemi ndërmarrë edhe masa dhe veprime të shumta për luftimin e parregullsive dhe informalitetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore