Lajme

Ministri malazez: “Iniciativa e Abazoviçit është e pamençur, tradhtare, dhe kundër vullnetit të popullit”


Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, Jakov Millatoviç

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, Jakov Millatoviç, mohoi që Kryeministri Zdravko Krivokapiç planifikon të dorëhiqet para seancs së 4 shkurtit ku pritet të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë e inicuar nga zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

“Këto janë veçse spekulime mediale, asgjë më shumë se aq”, tha Millatoviç.

Sa i përket mocionit të mosbesimit, ai thotë se “nëse zv/kryeministri me votat e Gjukanoviçit e rrëzon qeverinë, kjo do të ishte e padrejtë ndaj qytetarëve”, ngase konsideron se nëse qeveria e Malit të Zi bie, “mandati duhet kthyer popullit”.

“Askush në Mal të Zi nuk e kupton racionalitetin e veprimeve të Zv/kryeminstrit Dritan Abazoviç, i cili pas rezultateve të sukseshme në Kuvend në dhjetor, u tërhoq vetëm disa ditë pas vitit të ri, dhe këtë çështje e ngriti me katër deputetët e tij, së bashku me Partinë e mposhtur Demokratike të Socialistëve (DPS)”, u shpreh ai.

Sipas tij, iniciativa për rrëzimin e qeverisë nisur nga Dritan Abazoviç “është e pabesueshme”, ngase konsideron se një gjë e tillë “rivitalizon DPS-në e mposhtur”.

“Shoqërinë e rikthen në ndarje dhe pasiguri politike, shpërqendrohet nga zhvillimet e mira ekonomike që kanë qenë përditshmëri në Mal të Zi”, shprehet ai, transmeton CdM.

“Të pamençur, tradhtare, dhe kundër vullentit të popullit”, e quan iniciativën për formimin e një qeverie të pakicës nga Dritan Abazoviç, ministri malazez i ekonomisë.

“Është kundër vullnetit të popullit të cilët më 30 gusht 2020 votuan për heqjen e regjimit kuazi-diktatorial të Millo Gjukanoviçit, andaj lëvizja e zv/kryeministrit të Malit të Zi është absolutisht e papranueshme”, u shpreh mes tjerash ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore