Lajme

Ministri Liburn Aliu del para gjykatës, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare


Gjashtë prilli është caktuar si data e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në rastin ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe të tjerëve të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Por kjo seancë e paraparë të fillojë në orën 10:00, ka dështuar për shkak se ka munguar e pandehura Bahtije Uka.

Prokuroria Themelore në Prishtinë përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda kishte ngritur një aktakuzë e cila e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë akuzuar edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Sipas kësaj aktakuze rezulton se Liburn Aliu dhe të tjerët akuzohen për moszbatimin e planit zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë në lagjen “Prishtinën e Re”.

Ndërkaq, ministri i ri, Aliu kishte mohuar se ndaj tij ekziston një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore