Lajme

“Ministri Lafiti u kthye nga SHBA-ja, kthehuni edhe ju”, ftesa e Kurtit për kirurgët kosovarë nga diaspora


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, derisa i ka ftuar mjekët kosovarë që punojnë në Evropë që të kthehen në Kosovë.

“Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Kurti.

Ai i njoftoi të pranishmit edhe për formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi me vendim të Qeverisë.

“Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi”, shtoi më tej kryeministri.

Kurti u shpreh i lumtur që merr pjesë në hapjen e Kongresit, në praninë e shumë profesionistëve mjekësorë, në mesin e të cilëve edhe mërgimtarë që nuk e kanë harruar Kosovën dhe janë prezent sa herë u jepet rasti e mundësia.

Punimet në këtë kongres do të mbahet nga 15 deri me 18 shtator, në Prishtinë.

Sa mjekë kanë ikur nga Kosova?

Por, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu pati njoftuar se vetëm gjatë dy muajve të parë të 2022-ës nga Kosova janë larguar 41 mjekë: një specialist, 19 specializantë dhe 21 mjekë të përgjithshëm.

“Vitin e kaluar kanë qenë rreth 210 mjekë që kanë ikur nga Kosova”, nënvizoi Sejdiu, pa e përkthyer në një shifër tjetër shqetësuese: 4% e mjekëve e kanë lënë Kosovën brenda vetëm një viti. Por, paralajmërimi i tij ishte akoma më alarmues. “Nëse nuk merren masa do të rritet ikja dhe këtë vit 300 mjekë do të largohen”. Pra, edhe mbi 5% e mjekëve do të largohen sivjet, sipas doktor Sejdiut, i cili thekson se 108 mjekë veçse janë larguar në gjashtë muajt e parë të 2022-ës.

Nuk po ikin vetëm mjekët. Edhe infermierët po e lënë Kosovën. Sipas Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, 400 infermierë janë larguar gjatë vitit 2021 dhe 900 të tjerë pritet të largohen sivjet.

Ministri Latifi, në konferencën e tij të parë, pas emërimit si njeriu përgjegjës për shëndetësinë kosovare, kishte deklaruar se akoma ishte duke e konceptuar dhe në atë moment nuk kishte strategji se si do ta zgjidhte këtë problem, me të cilin përballet shoqëria kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore