Lajme

Ministri i Shëndetësisë: Problemet që i kemi ne i ka edhe Austria dhe Zvcira


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se edhe vendet e tjera janë duke u ballafaquar me të njëjtat probleme në sistemin shëndetësor si Kosova.

“Unë isha në Greqi javën e kaluar e kanë të njëjtin problem Austria, Zvicra shumica e këtyre vendeve kanë problem me largimin e punëtorëve shëndetësor nga një vend në vendin tjetër”.

Sa i përket mungesës së anesteziologëve në Kosovë, ai konsideron se këto janë pasoja të viteve të kaluara.

“Çështja e anesteziologëve është lënë anash për shumë vite. Që nga viti 2010 nuk është hapur asnjë konkurs nga anesteziologjia po të ishte bërë kjo nuk do t’i kishim këto pasoja. Është lënë pas dore dhe është keqplanifikuara”.

Kurse, për të ardhmen ai ka thënë se kanë planifikuar një zgjidhje.

“Ne nuk kemi një menaxhim të strukturuara të sallave të operacioneve. Ne tash po hapim konkursin për 30 specializante të anesteziologjisë që në të ardhmen të mos kemi ndonjë problem”.

Për largimin e mjekëve ka reaguar edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ai ia ka përmendur ministrit arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova, ndërsa e ka pyetur Latifin dhe kryeministrin se pas një viti e gjysmë në punën tuaj cilat janë veprimet e juaja që keni ndërmarrë, veprimet që mjekët të largohen nga sektori privat në atë publik.

“Duke e kuptuar këtë fakt se ndalja e ikjes së mjekëve jashtë vendit nuk bëhet thjesht përmes dhënies së specializimeve siç e kuptojnë disa. Këto janë probleme të mëdha nuk zgjidhen me një shkop magjik. Po ne të gjithë së bashku do të punojmë në mënyrë që ta ndalim ikjen e trurit, ta shtojmë kthimin e trurit me masa të caktuara, por edhe ta kuptojmë që nuk zgjidhet shumë shpejt”, u përgjigj Latifi.

Haxhiu ka pyetur Latifin edhe për raportin e pranimit të mallit për pacientët, i cili sipas tij mungon në institucionet shëndetësore.

“Çka do të evitojnë kur mungon raporti i mallit për 7.8 milionë euro. Kur për vlerë 7.8 milionë, si do të evidentohet kjo vitin tjetër, kjo është përgjegjësi tash sepse janë marrë paret e pacientëve. Në të kaluarën kryeministri i ka quajtur këto “gjakderdhje financiare”, unë po ju pyes juve a është gjakderdhje apo masakër financiare a është hajni, a korrupsion, kur mungon raporti për pranimin e mallit për 7.8 milionë euro”.

Pas kësaj deklarate, Latifi ka refuzuar që të përgjigjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore