Lajme

Ministri grek i Transportit jep dorëheqjen, 40 viktima nga aksidenti i rëndë


Ekipet e shpëtimit kanë gërmuar nëpër vagonë të rrafshuar dhe të djegur për të mbijetuarit dhe trupat pasi një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën në Greqinë qendrore gjatë natës.

Ngjarja e rëndë la të vrarë të paktën 40 njerëz dhe dhjetëra të plagosur.

Ministri i Transportit Kostas Karamanlis dha dorëheqjen, duke thënë se e ndjente se ishte detyrë e tij të largohej “si një tregues themelor i respektit për kujtimin e njerëzve që vdiqën në mënyrë të padrejtë”.

Sakaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë me dije se nuk ka viktima shqiptare. Megjithatë, pesë persona kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Shkaku i përplasjes pranë Vale of Tempe, rreth 380 kilometra në veri të Athinës, nuk ishte menjëherë i qartë. Mirëpo, drejtori i stacionit në qytetin e afërt të Larisës u arrestua të mërkurën. Policia nuk e bëri të ditur emrin e tij. Dy persona të tjerë janë ndaluar për t’u marrë në pyetje.

Është e paqartë se me çfarë shpejtësie po udhëtonin dy trenat kur u përplasën me njëri-tjetrin pak para mesnatës së së martës.

Megjithatë, transmetuesi shtetëror “ERT” ka thënë se ishte më shumë se 140 kilometra në orë.

Të mbijetuarit kanë thënë se përplasja hodhi disa pasagjerë nëpër dritaret e vagonave të trenit. “ERT” citoi anëtarët e ekipeve të shpëtimit të thonë se gjetën trupa të disa viktimave 30-40 metra nga vendi i përplasjes.

Shumë vagonë kanë dalë nga shinat dhe të paktën tre kanë shpërthyer në flakë.

5 shqiptarë janë plagosur nga aksidenti hekurudhor në Greqi, shkon në 40 numri i viktimave

Sakaq, shumë nga 350 personat në trenin e pasagjerëve ishin studentë që ktheheshin nga karnavalet e zhurmshme të Greqisë.

Ky vit ishte hera e parë që festivali treditor, i cili i paraprin Kreshmës, u festua i plotë që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020.

Duke vizituar vendin e aksidentit, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka thënë se qeveria duhet të ndihmojë të plagosurit të shërohen dhe të identifikojnë të vdekurit.

Qeveria ka shpallur tre ditë zie kombëtare, ndërsa flamujt valëvitën në gjysmë shtizë jashtë të gjitha ndërtesave të Komisionit Evropian në Bruksel.

Të mërkurën, ekipet e shpëtimit iu drejtuan vinçave dhe makinerive të tjera të rënda për të filluar lëvizjen e pjesëve të mëdha të trenave, duke zbuluar më shumë trupa dhe mbetje të copëtuara.

Lazaros Sarianidis i ka treguar transmetuesit “ERT” se ekipet po përpiqeshin me shumë kujdes të shkëputnin çelikun, llamarinën dhe materialet e tjera që ishin përdredhur së bashku nga përplasja.

Trenat u përplasën pak përpara Luginës së Tempes, një grykë që ndan rajonet e Thesalisë dhe Maqedonisë.

Tetë punonjës hekurudhor ishin midis atyre që u vranë në përplasje, duke përfshirë dy drejtuesit e trenit të mallrave dhe dy drejtuesit e trenit të pasagjerëve, sipas presidentit të Sindikatës së Punëtorëve të Hekurudhave Greke, Yannis Nitsas.

Shërbimi zjarrfikës i Greqisë ka bërë me dije se rreth 66 persona u shtruan në spital, duke përfshirë gjashtë në kujdesin intensiv.

Më shumë se 200 njerëz që mbetën të padëmtuar në aksident ose pësuan lëndime të lehta u transportuan me autobus për në Selanik, 130 kilometra në veri.

Policia mori emrat e tyre kur mbërritën, në një përpjekje për të gjurmuar këdo që mund të mungonte.

Operatori hekurudhor Hellenic Train ka bërë me dije se treni i pasagjerëve për në Selanik, qyteti i dytë i madh i Greqisë, kishte rreth 350 pasagjerë në bord.

Hellenic Train operohet nga FS Group i Italisë, i cili drejton shërbimin hekurudhore në disa vende evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore