Lajme

Ministri francez dënon “gënjeshtrat” ​​e SHBA-ve dhe Australisë mbi paktin “Aukus”


Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian dhe takimi virtual Scott Morrison - Joe Biden

Në një dalje televizive, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian ka akuzuar autoritetet australiane dhe amerikane se kanë gënjyer mbi paktin “Aukus”.

Për televizionin “France 2”, Le Drian gjithashtu i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Australinë për “shkelje besimi dhe përbuzje”.

Pakti, i njohur si “Aukus”, do t’i mundësojë Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Më herët, autoritetet franceze kishin nënshkruar një marrëveshje miliarda dollarëshe me Australinë.

Marrëveshja, e cila gjithashtu përfshin Mbretërinë e Bashkuar, shihet gjerësisht si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në Detin – e kontestuar – të Kinës Jugore.

Franca u informua vetëm disa orë para se të bëhej njoftimi publik në fillim të kësaj jave.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian
Krizë serioze

Le Drian theksoi në fjalën e tij se një “krizë serioze” ishte lipsur midis aleatëve.

Zyrtari e ka konsideruar tërheqjen e ambasadorëve për konsultime si “një akt serioz politik”. Ky akt, sipas Le Drian, tregon madhësinë e krizës mes shteteve në këto momente.

Ministri francez tha se ambasadorët u thirrën për të “rivlerësuar situatën”.

Pakti nënvizon se Australia do të bëhet shteti i shtatë në botë që operon nëndetëse me energji bërthamore.

Ambasadori francez në Australi, Jean-Pierre Thebault
Reagimi i autoriteteve australiane

Autoritetet australiane kanë reaguar fill pas vendimit të papritur të Francës për të tërhequr ambasadorin e saj në Australi, Jean-Pierre Thebault, duke shprehur keqardhjen e tyre.

Përmes zëdhëneses së Ministrisë së Jashtme australiane, autoritetet kanë ravijëzuar se vendimi u mor “në përputhje me interesat e sigurisë kombëtare”.

Shkak u bë anulimi i një kontrate nëndetëseje, si pjesë e marrëveshjes ushtarake “Aukus”.

Gjithashtu, deklarata e zëdhënëses australiane, e publikuar nga e përditshmja “The Guardian”, garanton se do të ketë një ri-angazhim me autoritetet franceze.

Flota australiane në detin e Kinës Jugore
Historiku

Franca dhe SHBA-të kanë pasur mosmarrëveshje të rëndësishme diplomatike më parë.

Kriza e Suezit në vitin 1956 dhe lufta në Irak në vitin 2003. Asnjëra prej tyre nuk rezultoi në tërheqjen e ambasadorëve.

Sipas analistëve, mund të duhen vite që marrëdhënia midis Francës dhe Australisë të stabilizohet.

Jean-Pierre Thebault, dhe homologu i tij në Washington, Philippe Etienne, do të kthehen në Paris për “konsultime”.

Franca nuk e ka tërhequr ambasadorin e saj në Mbretërinë e Bashkuar.

Tërheqja e ambasadorëve, zakonisht është veprimi i fundit që ndërmerret midis vendeve gjatë një krize. Midis aleatëve, shihet si një veprim jashtëzakonisht i rrallë.

Ambasada franceze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Reagimi i autoriteteve kineze

Kina zyrtare ndërkohë i ka akuzuar tre fuqitë e përfshira në paktin e sigurisë se kanë një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.

Ky zhvillim nuk është kapërdirë nga qeveria kineze, e cila e ka konsideruar marrëveshjen si “jashtëzakonisht të papërgjegjshme”.

Sipas tyre, kjo do ta dëmtojë seriozisht paqjen dhe stabilitetin rajonal.

Nëndetëse amerikane në Gjirin Harbour

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Australia dhe SHBA-të kritikonte “pretendimet detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore që janë pa bazë ligjore”.

Një zëdhënës i ambasadës kineze më vonë hodhi poshtë “akuzat e pabazuara dhe vërejtjet e gabuara kundër Kinës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore