Shqipëria

Ministri Çuçi vizitë në Liban për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e Sirisë


Gjatë një reagimi në Facebook nga ministri punëve të brendshme, Bledi Çuçi, ai sqaroi se ka dy ditë që ndodhet në Beirut, Liban. Arsyeja e vizitës së tij lidhet me angazhimin e qeverisë shqiptare për të rikthyer nga kampet siriane të gjithë shtetasit shqiptarë.

Ministri shkroi se organizoi një takim me drejtorin e përgjithshëm të sigurisë në Liban, Gjeneral Major Abas Ibrahim. Në takim ishin të pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb dhe Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano.

“E falënderova Gjeneralin për gjithë kontributin e tij të çmueshëm në këtë proces dhe e garantova për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në çështje të sigurisë dhe sidomos në finalizimin me sukses të këtij operacioni të vështirë në një kohë sa më të shkurtër”, nënvizon ministri Çuçi.

Vizita në Beirut gjithashtu tregon se sa e përkushtuar është qeveria shqiptare për atdhesimin e shtetasve të saj, vazhdon më tej ministri i punëve të brendshme.

“Vizita në Beirut është gjithashtu tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria”.

Ai theksoi se do “punojmë me të njëjtin përkushtim dhe vendosmëri për të finalizuar me sukses edhe këtë operacion ashtu sikundër bënë radhën e parë”.

Operacionet e mëparshme

Sandër Lleshaj, paraardhësi i ministrit Çuçi udhëtoi disa herë drejt Libanit. Nga ku, së bashku me autoritetet vendase nisi bashkëpunimin duke mundësuar kthimin e një gruaje dhe katër fëmijëve nga Siria, në tetor të vitit të shkuar.

Pas largimit nga Libani të ish ministrit Lleshaj, atje qëndruan duke punuar në terren drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, bashkë me kolegun e tij, Indrit Doda, për më shumë se pesë javë.

Të dy hynë në Siri dhe negociuan me autoritetet vendore kurde. Këta të fundit u dakordësuan të lejonin riatdhesimin vetëm të grave në nevojë për ndihmë të specializuar dhe fëmijëve jetim.

Së pari u riatdhesuan Floresha Rasha bashkë me tre fëmijët e saj dhe 13 vjeçari Endri Dumani. Në ketë riatdhesim, rol të rëndësishëm ka patur Mark Ghorayeb, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban.

Vetë kryeministri Edi Rama shkoi në Liban për të marrë Floresha Rashën me tre fëmijët e saj dhe Endri Dumanin.

Mes personave tjerë në kampet e Sirisë, është edhe Eva Dumani, motra e Endri Dumanit, e cila e humbi mundësinë e kthimit bashkë me të.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore