Lajme

Ministri boshnjak: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të relaksonte raportet mes të gjitha shteteve të rajonit


Nenad Neshiç

Ministri i Punëve të Brendshme të Bosnjë dhe Hercegovinës, Nenad Neshiç, deklaroi se arritja e shpejtë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë do të relaksonte marrëdhëniet e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë një vizite në Shkup, ai shprehu optimizmin e tij që Kosova dhe Serbia do të gjejnë zgjidhje të përshtatshme për të dy vendet, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes do të krijonte më shumë siguri në rajon dhe anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian.

“Ne na duhet paqe, paqja nuk ka alternativë, neve na duhet të gjithëve të jemi në Bashkimin Evropian dhe të kemi kontakt me të gjitha vendet e rajonit, të shohim përkushtim drejt Bashkimit Evropian”, tha ai, transmeton Alsat M.

“Por që të shoqërohemi në Bashkimin Evropian, ne duhet të kemi siguri, stabilitet. Po e them edhe një herë, paqja nuk ka alternativë”, shtoi Neshiç, rreth një javë para takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Në takimin e 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa më 18 mars në Ohër, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore