Lajme

Ministri argjentinas dorëhiqet, shkak vaksinat


Në Argjentinë, ministri i shëndetësisë, Gines Gonzalez Garcia, ka dhënë dorëheqjen pas raportimeve se njerëzit përdornin lidhjet e tyre në mënyrë të padrejtë për të pasur mundësinë e vaksinimit kundër COVID-19.

Agjensia e lajmeve, Reuters, shkruan se përmes një postimi në platformën Twitter, Garcia ka deklaruar se individë të caktuar kanë mundur të shmangin procedurat e vaksinimit në momentet kur ai nuk ndodhej në zyrë.

Dorëheqjen e ministrit e ka kërkuar presidenti argjentinas, Alberto Fernandez. Kjo për shkak se media ka publikuar 10 persona të cilët kanë marrë vaksina pa ndjekur procedurat e nevojshme.

Sipas Reuters, pjesë e tyre kanë qenë edhe gazetarë veteran të cilët pretendohet se kanë marrë dozën pas një bisede direkte me ministrin.

“Skandali në rritje nxjerr në vëmendje frikën më të madhe rreth korrupsionit dhe aksesit në vaksina të cilat janë në mungesë në rajon”, shton Reuters.

Në Peru, ngjashëm si në Argjentinë,  ministrat e jashtëm u larguan ndërsa presidenti u vu nën hetim penal pas raportimeve se qindra zyrtarë siguruan doza vaksinash jashtë provave klinike dhe para se të niste programi kombëtar i imunizimit.

Lidhur me vaksinimin, Argjentina numëron rreth 250 mijë njerëz të cilët kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19. Me rreth 45 milionë njerëz, Argjentina ka konfirmuar mbi dy milionë njerëz të infektuar nga virusi dhe 51 mijë të tjerë kanë ndërruar jetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore