Kosova

Ministres së Arsimit nuk i kujtohet se në çfarë drejtimi ka studiuar në nivelin Master


Ministra Arberie Nagavci

Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk i është kujtuar se çfarë ka studiuar gjatë studimeve në nivelin Master, kur është pyetur rreth publikimit të diplomës së saj universitare ditë më parë, me notë mesatare shumë të ulët (6.4).

“Kam studiuar Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare”, tha Nagavci derisa arsyetonte notat e dobëta me angazhimet shtesë që i ka pasur në atë kohë.

Problemi është se diploma e ministres tregon se ajo nuk ka studiuar “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, por “E drejta Ndërkombëtare”.

Cili është dallimi?

Marrëdhëniet Ndërkombëtare si fushë studimi preokupim kanë ndërveprimin mes shteteve. Janë studime që merren me aktivitetet ndërshtetërore, diplomacinë, tregtinë, luftërat dhe raportet e ndërvarshmërinë mes aktorëve në arenën ndërkombëtare. Këtu futen jo vetëm shtetet, por edhe organizatat ndërkombëtare (qeveritare e jo qeveritare), dhe korporatat multi-nacionale. Brenda marrëdhënieve ndërkombëtare janë disa shkolla mendimi, ndër më qendrorët: realizmi, liberalizmi, konstruktivizmi e të tjera.

Drejtimi i studimeve “Marrëdhënie Ndërkombëtare” është drejtim që studiohet në Departamentin e Shkencave Politike.

Kurse drejtimi në të cilin ka studiuar Nagavci “E drejta Ndërkombëtare” është Master që mund të bëhet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Kjo fushë e studimit e njohur si “International Law”, është drejtim ku mësohet për rregullat ligjore dhe përgjegjësitë legale mbi të cilat ndërtohet ndërveprimi në mes të shteteve në arenën ndërkombëtare. Kryesisht merret me të drejtat e njeriut, krimin ndërkombëtar, rregullimi i ujërave ndërkombëtare, migrimi dhe shumë problematika të tjera të cilat janë përtej juridiksioneve kombëtare.

Madje, drejtimi “Marrëdhënie Ndërkombëtare” as nuk ka ekzistuar në Universitetin e Prishtinës në kohën kur ka studiuar Nagavci. Ishte një drejtim me emërtimin “Politikë Ndërkombëtare”, që për nga përmbajtja ishte pothuajse i njëjtë me “Marrëdhënie Ndërkombëtare”.

Në shpjegimin e saj, ministrja ka treguar se këto studime i ka bërë në një kohë kur ka qenë shumë e angazhuar, porse kishte dëshirë që akoma të studionte.

“Kanë qenë studimet e dyta”, tha ajo në emisionin Context në ATV. “I kam zhvilluar gjatë kohës sa kam qenë e punësuar në fushën e arsimit”.

“Kam studiuar Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Janë studime të cilat i kam bërë thjesht për dëshirën dhe vullnetin tim, në kohën kur kam qenë edhe nënë edhe e punësuar edhe bashkëshorte dhe të gjithë e dimë se për gratë shqiptare nuk është shumë e lehtë edhe nuk ka qenë asnjëherë dhe diploma ime e studimeve Master nuk më ka shërbyer dhe nuk e kam përdorur asnjëherë, as për të aplikuar për ndonjë punë as për t’u punësuar as për asgjë tjetër”, pohoi ajo.

Gjithsesi, notat e dobëta nuk janë çështja e vetme në rastin e Nagavcit. Ajo ka diplomuar jashtëligjshëm, meqë ka tejkaluar kohën e lejuar të studimeve.

Diploma

Me statutin e Universitetit të Prishtinës, i hartuar në përputhje me rregullat e sistemit të Bolonjës, studimet në çfarëdo niveli zgjasin dyfishi i vetëve të parapara për studim.

Nëse studioni Bachelor dhe studimet e rregullta zgjasin tri vjet, atëherë keni afat t’i përfundoni të gjitha provimet dhe të diplomoni brenda gjashtë vjetësh.

Kurse nëse jeni Mastër dhe studimet e rregullta zgjasin dy vjet, atëherë studimet duhet të përfundohen brenda 4 vjetësh.

Statuti parasheh në një nen te veçantë, se maksimalisht ky afat mund të zgjatet edhe për një/dy vit/vjet, nëse studenti arsyeton vonesën – qoftë ndonjë sëmundje që ia ka pamundësuar diplomimin, apo ndonjë arsye tjetër valide.

Ministrja aktuale e Arsimit, Arbërie Nagavci, marrë për bazë statutin e universitetit, del të ketë kryer në formë jo të rregullt studimet, pasi në nivelin Mastër ka bërë plotë 10 vjet për të diplomuar, në vend se të arrinte diplomimin maksimum brenda 4/5 vjetësh.

Sipas diplomës së publikuar të Nagavcit, ajo u regjistruar për studimet Master në vitin akademik 2009/10 dhe studimet i mbaroi me 5 prill 2019.

Përtej notës minimale 6.46, Nagavcit i ka marrë një dekadë për të përfunduar diku 20 provime.

Statuti

Sipas statutit të universitetit të Prishtinës, i miratuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Arsimin e Lartë, përcaktohet qartë se si studenti e humbë statusin e tij kur kalon dyfishi i kohës së paraparë për studime.

Saktësisht neni 150, pika 1.4, saktëson se Studenti i rregullt humb statusin “Kur nuk i ka përfunduar studimet në periudhën e dyfishtë të kohëzgjatjes së studimeve”.

Arsye të tjera për të humbur statusin e studentit janë edhe kur studenti “vendos të largohet nga studimet”, “kur i ka përfunduar studimet”, dhe “kur dështon të regjistrohet në vitin akademik”.

Gjithsesi, bëhen disa përjashtime.

Statuti, në nenin e njëjtë, pika dy, parasheh që “studenti mund të kërkojë një herë që t’i vazhdohet kohëzgjatja e studimeve për një apo dy vite”.

Dhe, “vendimin e merr këshilli i njësisë akademike”.

“Në rast se merret vendim pozitiv studenti do ta ketë sërish statusin e studentit të rregullt”.

Gjithashtu, në disa raste zbatohen rregulla të posaçme, për student që kanë arritje të larta në fusha të caktuara.

“Për të arriturat e veçanta në fushën e sportit, vërtetuar me status amator apo profesional në nivel rajonal apo më lart; Për të arriturat e veçanta si krijues artistik i njohur, vërtetuar me reagimin relevant të mediave dhe konfirmuar nga Këshilli i Fakultetit të Arteve”, thotë statuti.

Një tjetër rast kur lejohen përjashtime është kur bëhet fjalë për “individët me aftësi të kufizuar fizike, duke përfshirë edhe aftësitë e kufizuara të të paritë dhe të dëgjuarit, apo mendore, vërtetuar me certifikatë të mjekut”.

Siç dihet, ministrja Nagavci nuk ka të arritura as në fushën e sportit e as në atë të artit dhe gjithashtu nuk dihet të jetë deklaruar ndonjëherë për të se është person me nevoja të veçanta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore