Lajme

Minimet e Bitcoin rrezikojnë planin e Kinës për klimën


Pajisjet e minimit të bitcoin-it në Kinë, që janë të etura për energji elektrike, furnizojnë gati 80% të tregtisë globale të kriptomonedhave. Si pasojë e kësaj, aktiviteti i tyre mund të rrezikojë që vendi të mos arrijë synimet e saj për klimën. Në këtë përfundim ka arritur një studim i revistës Nature.

Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera mbështeten në teknologjinë “blockchain”, e cila është një bazë e të dhënave e përbashkët e transaksioneve që duhet të konfirmohen dhe të kodifikohen. Rrjeti sigurohet nga individë të quajtur “minatorë” të cilët përdorin kompjuterë me fuqi të lartë për të verifikuar transaksionet. Këta kompjuterë konsumojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike.

Studimi nxjerr në dritë se në Kinë, rreth 40% e pajisjeve që “minojnë” bitcoin furnizohen me energji të prodhuar me qymyr, ndërsa pjesa tjetër përdor burime të ripërtëritshme.

Studimi i publikuar të martën, në Natyre, zbuloi se pajisjet e minimit të pakontrolluara do të gjenerojnë 130.5 milionë tonë të emetimeve të karbonit deri në vitin 2024. Ky numër është i afërt me emetimet vjetore të shteteve si Arabia Saudite, e cila është e pasur me naftë.

Kompanitë kineze me qasje në energji elektrike të lirë, furnizuan 78.89% të operacioneve globale minimit të bitcoin-it që nga prilli i vitit 2020, shkruhet në studim.

Bashkë-autori i studimit, Wang Shouyang nga Akademia Kineze e Shkencave tha se qeveria duhet të përqendrohet në azhurnimin e rrjetit të energjisë për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm nga burimet e rinovueshme.

Sipas Indeksit të Konsumit të Energjisë Elektrike Bitcoin të Universitetit të Kembrixhit, këtë vit, industria e kripto-minierave pritet të përdorë 0.6% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në botë, ose më shumë se përdorimi vjetor i Norvegjisë.

Çmimi i një bitcoin është rritur pesë herë në vitin e kaluar, duke arritur një rekord mbi 61 mijë dollarë në mars, dhe tani po qëndron pak poshtë çmimit 60 mijë dollarë.

Duke pasur parasysh fitimet e mëdha, Wang tha se vendosja e taksave të karbonit nuk do ishte e mjaftueshme për të parandaluar minatorët.

Qeveria kineze, për të parandaluar pastrimin e parave, ndaloi tregtinë me kriptovaluta në vitin 2019, por minimi i tyre është i lejuar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore