Lajme

Millosh Vuçeviç zgjidhet kryetar i ri i Partisë Progresive Serbe


Millosh Vuçeviç

Millosh Vuçeviç është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Progresive Serbe.

Ai do të pasojë në këtë pozitë kryetarin e deritanishëm, njëherësh presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili të premten dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë, në tubimin e mbajtur në Beograd.

Vendimi për ta zgjedhur kryetar Millosh Vuçeviç është marrë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të SNS-së.

Kjo është bërë me propozimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Partisë Progresive Serbe që u mbajt në Kragujevc.

Vuçeviç momentalisht është Ministër i Mbrojtjes të Serbisë.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në tubimin e thirrur nga ai dhe partia e tij në Beograd të premten, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga të qenurit kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS).

Ai u tha qytetarëve të mbledhur se “njerëz të mrekullueshëm do ta marrin drejtimin e SNS nga nesër”.

“Kam 11 vite në krye të SNS-së, partisë më të mirë dhe më të madhe të mikpritësve të mrekullueshëm dhe njerëzve të ndershëm… Kjo është mbrëmja e fundit që po ju drejtohem si kryetar i SNS-së dhe nesër do të marrë dikush tjetër drejtimin e partisë tonën, në të cilën unë do të jem anëtar besnik”.

Kreu i Serbisë theksoi se pas dorëheqjes nga kryetari i partisë “do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Serbisë, jo i një partie politike”.

Vuçiç jep dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore