Lajme

Miliona njerëz kanë ndërruar jetë nga infeksionet rezistente ndaj ilaçeve


Në mbarë botën, në vitin 2019, kanë ndërruar jetë më shumë se 1.2 milionë njerëz nga infeksionet e shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve.

Kjo ka dalë prej studimit më të madh të çështjes deri më tani, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Referuar raportit, vendet më të varfra janë më të prekura, por rezistenca antimikrobike kërcënon shëndetin e të gjithëve.

Prandaj dhe rekomandohen investime urgjente në barna të reja dhe përdorimi më i zgjuar i atyre aktuale për t’u mbrojtur.

Në vitet e fundit, përdorimi i tepërt i antibiotikëve për infeksionet e parëndësishme nënkupton se ato po bëhen më pak efektivë kundër infeksioneve serioze.

Ndërkaq, vdekjet vijnë nga infeksione të zakonshme, të trajtueshme më parë, sepse bakteret që i shkaktojnë ato janë bërë rezistente ndaj trajtimit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, zyrtarët shëndetësorë kohët e fundit kanë paralajmëruar se rezistenca antimikrobike (AMR) është një “pandemi e fshehur” që mund të shfaqet në vazhdën e COVID-19.

Lidhur me vlerësimin, ai bazohet në një analizë të 204 vendeve nga një ekip studiuesish ndërkombëtarë, të udhëhequr nga Universiteti i Washington-it.

Për vitin 2019, ata kanë llogaritur deri në pesë milionë njerëz të vdekur nga sëmundjet në të cilat AMR-ja ka luajtur rol.

Kjo, në krye të 1.2 milionë vdekjeve të shkaktuara në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“BBC” dallon se shumica e vdekjeve nga AMR-ja është shkaktuar nga infeksione të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, si pneumonia dhe infeksionet e qarkullimit të gjakut.

Vdekje të tilla janë vlerësuar të jenë më të larta në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore, me 24 vdekje në çdo 100 mijë.

Kurse më të ulëtat në vendet me të ardhura të larta, me 13 në çdo 100 mijë.

Nga Universiteti i Washington-it, profesor Chris Murray, ka thënë se të dhënat e reja kanë zbuluar shkallën e vërtetë të rezistencës antimikrobike në mbarë botën.

Dhe se ky ishte një sinjal i qartë se duhej veprim i menjëhershëm “nëse duam të qëndrojmë përpara në garën kundër rezistencës antimikrobike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore