Lajme

Miliarderi Yuri Milner heq dorë nga shtetësia ruse


Miliarderi izraelito-rus, Yuri Milner, ka njoftuar se ka hequr dorë nga shtetësia ruse pasi u largua nga vendi në vitin 2014.

Milner është themeluesi i firmës së investimeve në internet “DST Global” dhe bëri pasuri duke vënë baste në kompanitë kineze të teknologjisë si platformat e tregtisë elektronike Alibaba dhe JD.com.

“Unë dhe familja ime u larguam përgjithmonë nga Rusia në vitin 2014, pas aneksimit rus të Krimesë”, tha Milner në një postim në Twitter.

“Dhe këtë verë, ne përfunduam zyrtarisht procesin e heqjes dorë nga shtetësia ruse”.

Milner ka qenë shtetas izraelit që nga viti 1999 dhe nuk e ka vizituar Rusinë që nga viti 2014, sipas një fletë faktesh në faqen e internetit të DST Global.

Ai gjithashtu nuk ka asete në Rusi, 97% e pasurisë së tij personale është krijuar jashtë vendit dhe “Yuri nuk e ka takuar kurrë Vladimir Putinin, qoftë individualisht apo në grup”.

Kjo, sipas faqes së internetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore