Lajme

Milanoviç refuzon që Kroacia t’i trajnojë ushtarët ukrainas, referohet në Kushtetutë


Zoran Milanoviç

Zyra e Presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviç, përmes një komunikate bëri të ditur se ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë në Misionin e Bashkimit Evropian, EUMAM Ukraine.

Kabineti i presidentit kroat ka dhënë katër arsye që e shtynë Milanoviç’in ta refuzojë këtë kërkesë të cilën e kanë cilësuar si “të papërshtatme për presidentin”.

Ndër arsyet e para, sipas tyre, ishte fakti se ministri i Mbrojtjes nuk është i autorizuar me Kushtetutë apo me Ligjin për Mbrojtjen, të kërkojë miratimin paraprak të Presidentit të Kroacisë.

“Subjektet e vetme të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kroacisë për marrjen e vendimeve të tilla janë Qeveria e Republikës së Kroacisë, Presidenti i Republikës së Kroacisë dhe ndoshta Parlamenti i Kroacisë”, thuhet në komunikatë, transmeton mediumi kroat ‘Index’.

“Propozim-vendimi i bashkëngjitur nuk specifikon konkretisht aktivitetet që pjesëtarët e Ushtrisë Kroate do të kryenin jashtë vendit dhe as aktivitetet që pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Ukrainës do të kryenin në territorin e Republikës së Kroacisë”.

EUMAM Ukriane/Ilustrim

Propozim-vendimi i dorëzuar, në pjesën që ka të bëjë me ardhjen e ushtarëve ukrainas në territorin kroat, i referohet nenit 7, paragrafit 3 të Kushtetutës së Kroacisë, në të cilën shkruan:

“Forcat e armatosura të vendeve aleate mund të kalojnë kufirin dhe të hyjnë në Republikën e Kroacisë ose të veprojnë brenda kufijve të saj në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, bazuar në një vendim të Parlamentit kroat, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kroacisë me pëlqimin e Presidentit të Republikës së Kroacisë”.

Në këtë rast, sipas zyrës së presidentit, dispozitat e nenit 7, paragrafit 3 të Kushtetutës janë të pazbatueshme.

Që të zbatohet kjo dispozitë e Kushtetutës, siç thuhet në komunikatë, duhet të bëhet “me forcat e armatosura të vendeve aleate dhe me hyrjen ose funksionimin e këtyre forcave në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare”.

“Letra e dorëzuar tek ne nuk tregon bazën ligjore mbi të cilën u vërtetua se Ukraina është një vend aleat në kuptimin e kësaj dispozite të Kushtetutës (Ukraina nuk është anëtare e asnjë aleance në të cilën është anëtare Kroacia”, thuhet mes tejrash.

Duke u nisur nga këto arsye, Milanoviç vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet për të marrë në konsideratë shkresën e mësipërme të ministrit të Mbrojtjes, me qëllim marrjen e vendimit për dhënien ose mosdhënien e pëlqimit paraprak.

Ndryshe, Milanoviç kishte deklaruar edhe më parë se nuk do ta mbështesë Misionin EUMAM Ukraine, sepse siç vlerësonte ai, “do të nënkuptonte përfshirjen e Kroacisë në luftë”.

Ai mohoi se ishte në dijeni që ministrat e jashtëm evropianë kishin dhënë idenë për të trajnuar 15 mijë ushtarë ukrainas në Evropë.

“Unë nuk e mbështes atë ide sepse nuk e mbështes përfshirjen e Kroacisë në këtë luftë më shumë se sa duhet. Kjo po e sjell luftën në Kroaci”, kishte alarmuar presidenti kroat.

Këshilli i Bashkimit Evropian, të hënën e 17 tetorit miratoi një vendim për krijimin e Misionit të Ndihmës Ushtarake të Bashkimit Evropian në Ukrainë (EUMAM Ukraine).

Në përgjigje të kërkesës së Ukrainës për mbështetje ushtarake, misioni do të sigurojë trajnime individuale, kolektive dhe të specializuara të Forcave të Armatosura.

Misioni EUMAM Ukraine do të operojë në territorin e shteteve anëtare të BE-së dhe do të ketë një Shtabi Operacional në Bruksel për të siguruar koordinimin e përgjithshëm në nivel strategjik.

Komandanti i misionit do të jetë zëvendës-admirali Hervé Blejean, drejtor i Forcës së Planifikimit dhe Operacionit Ushtarak (MPCC).

Mandati i misionit fillimisht do të zgjasë dy vjet, dhe referenca financiare për shpenzimet totale për këtë periudhë do të jetë 106 milionë e 700 mijë euro.

Këshilli i BE-së miratoi gjithashtu dhënien e 500 milionë eurove të tjera në kuadër të Fondit Evropian të Paqes për të mbështetur më tej aftësitë dhe stabilitetin e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Kësti i gjashtë do të sjellë kontributin total të BE-së në fondin për Ukrainën në 3.1 miliardë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore