Përballje

Milano i jep leksion Juventusit, fiton në Torino pas 10 vjetësh


Milano ka bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve, duke e deklasuar skuadrën e Juventusit me rezultat 0:3, në ndeshjen e fundit të xhiros së 35-të në Serie A.

Milano nuk fitonte në Torino që nga marsi i 2011-ës, kur vendoste një gol i Gattusos, por këtë herë skuadra e Piolit i bëri të heshtin të gjithë juventinët duke marrë një fitore të madhe.

Ndeshja nisi me një ritëm të lartë të lojës, ku dy skuadrat e kërkonin golin e avantazhit.

Në fundin e pjesës së parë, futbollisti i Milanos, Brahim Diaz, shfrytëzoi një dalje të pasigurt të portierit Scszesny dhe me një goditje mjeshtërore realizoi një gol të bukur në cepin e portës.

Goli u rishikua nga sistemi Var, pasi që dyshohej për një prekje me dorë të spanjollit, megjithatë rezultati i pjesës së parë ishte 0:1 në favor të skuadrës së Stefano Piolit.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për kuqezintë, për të cilët u dha një penallti në minutën e 58-të, pas një topi të prekur me dorë nga Giorgio Chiellini, por Franck Kessie nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.

Vendasit morën zemër nga penalltia e mbrojtur dhe atëherë kur u duk se do të barazonin rezultatin, në minutën e 78-të Ante Rebic shënoi një gol të mrekullueshëm për epërsinë e dyfishtë, vetëm 12 minuta pasi u inkuadrua në lojë.

Për ta bërë më të bukur këtë fitore dhe më turpëruese humbjen për Juven, mendoi qendërmbrojtësi Fichayo Tomori që në minutën e 82-të shënoi golin e tretë për Milanon.

Me këtë fitore, skuadra e Milanos i rikthehet garës së ashpër që po zhvillohet për zonën Champions.

Kuqezinjë tani pozicionohen në vendin e tretë në tabelë me 72 pikë, po aq sa ka edhe Atalanta e vendit të dytë.

Ndërsa Juventus zbret në ventin e pestë me 69 pikë, një më pak se Napoli i vendit të katërt.

Milano në tre ndeshjet e fundit të sezonit do të përballen me Torinon në udhëtim, pastaj presin Cagliarin dhe në fund do të jetë super përballja me Atalantën.

Ndërsa Juventus në tre ndeshjet e ardhshme, udhëton te Sassuolo, e pret Interin dhe në ndeshjen e fundit udhëton të Bologna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore