Sport

Milan-i synon transferimin e Berardi-t


Futbollisti i Sassuolo-s, Domenico Berardi, është dëshira e drejtuesve të Milan-it prej kohësh.

Për të ndezur akoma më shumë zërat e transferimit të tij në Milano, është fakti se Berardi pëlqehet shumë nga trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli.

Pioli i cili po bënë punë të shkëlqyer te Milan-i në këtë sezon, thuhet se u ka kërkuar drejtuesve të klubit që ta transferojnë sulmuesin 27 vjeçar në afatin kalimtar të verës.

Drejtuesit e klubit kuqezi pritet të hyjnë në negociata me Sassuolo-n për të bërë një lëvizje të Berardi-t gjatë verës, por problemi kryesor do të jetë kërkesa financiare e klubit të Sassuolo-s.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Itali, Sassuolo nuk e ka ndërmend ta lë të lirë futbollistin e tyre, pa paguar të paktën 30 milionë euro.

Kujtojmë që Berardi ka kontratë me klubin e Sassuolo-s deri në verën e vitit 2024. Gjatë këtij sezoni, ai ka pasur paraqitje shumë të mira, ku në 28 ndeshje në të gjitha garat, ka shënuar 14 gola dhe ka dhuruar po aq asistime.

Ai gjithashtu numëron edhe 24 paraqitje zyrtare me kombëtaren e Italisë, prej të cilave ka gjetur rrugën e rrjetës në gjashtë raste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore