Sport

Milan-i rrëzon kërkesat e Raiola-s për Donnarumma-n


Gianluigi Donnarumma është pranë përfundimit të kontratës me Milan-in dhe kërkesat ekonomike të tij, kanë çuar në ngecjen e negocjatave për rinovimin e saj. Agjenti i Donnarumma-s, Mino Raiola, i ka kërkuar klubit 10-12 milionë euro në sezon, ndërsa klubi është ndalur në 8 milionë euro.

Donnarumma dhe Raiola duken të palëkundur nga kërkesa e tyre, ashtu si edhe Milan-i në krahun tjetër. Pas portierit tashmë janë vënë disa nga klubet kryesore europiane si: Manchester United, PSG dhe Juventus.

Keylor Navas, David de Gea dhe Wojciech Szczesny janë portierët që mund të lëvizin nga skuadrat respektive për t’i lenë vendin Donnarumma-s, nëse ai nuk rinovon me Milan-in. Deri tani, Juventus-i duket më pranë lojtarit, duke i afruar edhe pagën 10 milionë euro, siç raportohet në shumë media italiane.

Kuqezinjtë kanë filluar tanimë kontaktet e para me drejtuesit e Lille-s në Francë, per portierin Mike Maignan-in. 25-vjeçari po realizon një sezon fantastik me Lille-n, që aktualisht po udhëheq Ligën e Parë në Francë.

Portieri i lindur në Guaianen Franceze është rritur në akademitë e PSG-së dhe në 2015 ka kaluar te Lille, për shifrën e 1 milion eurove. Maignan-i momentalisht, sipas Transfermarket-it vlen 25 milionë euro. Këtë sezon, ai është paraqitur në 44 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Lille-n dhe e ka mbajtur portën të paprekur në 20 prej tyre.

Maignan-i është thirrur edhe nga Kombëtarja e Francës, me të cilët ka luajtur një ndeshje. Por, konkurenca për shërbimet e lojtarit nuk pritet të jetë e lehtë për Milan-in, pasi pas tij janë disa ekipe, mes të cilave edhe Tottenham-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore