Sport

Milan-i ka planin B në rast se dështon transferimi i Ziyech


Hakim Ziyech mbetet objektivi kryesor i skuadrës së Milan-it për afatin kalimtar të dimrit.

Megjithatë, në rast se ai dështon, atëherë thuhet se kuqezinjtë kanë gati planin B.

Bëhet fjalë për mesfushorin e talentuar të Fenerbahce-s, Ferdi Kadioglu, i cili po vëzhgohet nga kuqezinjtë.

Kampionët e Italisë janë të prirur të zgjedhin një opsion të ri për krahun e tyre të djathtë në muajt e ardhshëm dhe zgjedhja e tyre e ëndrrave në kohët e fundit ka qenë Ziyech i Chelsea-t, i cili bëri përshtypje në Kupën e Botës me Marokun.

Ish-lojtari i Ajaxit ka luftuar për të treguar më të mirën e tij me Chelsea-n në sezonet e fundit, por përsëri nuk është një lojtar i rëndësishëm në formacionin e bluve të Londrës.

Andaj, flitet se ai është i hapur për të ndërruar ekip, mirëpo për Milan-in mbetet përsëri një futbollist i shtrenjtë (nga paga që përfiton).

Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Milan-i e ka identifikuar Kadioglu si një alternativë të mundshme për Ziyech, por ata nuk janë të vetmit që interesohen për të.

Edhe Napoli po ndjek me vëmendje Kadioglu-n, diçka që së fundmi u konfirmua nga babai dhe agjenti i tij.

Fenerbahce me sa duket do të ishte i hapur për të shitur 23-vjeçarin për rreth 12 milionë euro dhe paga e tij do të ishte krejtësisht e përballueshme për kuqezinjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore