Sport

Milan-i është favorit për të nënshkruar me Fekir


Futbollisti i Real Betis-it, Nabil Fekir, është një ndër emrat më të dëshiruar nga drejtuesit e klubit të Milan-it.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, Maldini dhe Massara janë duke punuar për ta transferuar mesfushorin e kombëtares franceze në “San Siro”.

Fekir me origjinë nga Algjeria, ka kontratë deri në vitin 2023 me klubin e Betis-it, por bisedimet e rinovimit të kontratës thuhet se janë ndërprerë, me futbollistin i cili dëshiron një aventurë të re.

28 vjeçari i cili fitoi Botërorin “Rusi 2018” me Francën, numëron tre gola dhe katër asistime këtë sezon në kampionat dhe Europa League dhe te Milani e pëlqejnë shumë faktin që lojtari mund të mbulojë disa pozicione në repartin sulmues.

Emri i Fekir është lidhur edhe në të kaluarën me klubin italian, që do të paraqesë së shpejti një ofertë zyrtare për Betis, teksa duhet të mposhtë edhe konkurrencën e disa klubeve nga Premier League me Arsenalin në krye.

Kujtojmë Fekir u transferua dy vite më parë nga skuadra e Lyon-it te Betis për shumën e 20 milion eurove.

Vlera në treg e futbollistit në fjalë, llogaritet të jetë rreth 30 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore