Sport

Milan-i do të udhëtojë drejt Londrës me shumë mungesa


Milan-i do të përballet me Chelsea-n këtë të mërkurë në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Kampionët e Italisë do të udhëtojnë me shumë mungesa në këtë takim të rëndësishëm, ku listës së futbollistëve të dëmtuar u shtuan edhe disa.

Theo Hernandez, Divock Origi, Alesando Florenzi dhe Mike Maignan ishin të konfirmuar që do të mungonin në këtë takim, derisa trajneri Stefano Pioli humbi edhe dy lojtarë të rëndësishëm.

Bëhet fjalë për Alexis Saelemaekers dhe Davide Calabria, të cilët u dëmtuan në sfidën e fundit në Serie A ndaj Empoli-t.

Pra, me këtë listë të gjatë të dëmtimeve, Pioli do të jetë i detyruar të udhëtojë drejt Londrës me vetëm 17 futbollistë në dispozicion.

Në listën prej 23 futbollistëve të ftuar për fazën e Ligës së Kampionëve, Pioli ka lënë jashtë lojtarë si: Yacine Adli, Tiemoue Bakayoko dhe dy transferimet e fundit të kësaj vere Malick Thiaw dhe Aster Vranckx.

Pra, në këtë ndeshje të vështirë në udhëtim, tekniku i Milan-it nuk do të ketë shumë zgjedhje.

Kujtojmë që pas dy ndeshjeve Milan-i prinë në Grupin E me katër pikë të grumbulluara, pas fitores ndaj Dinamo Zagrebit dhe barazimit ndaj Salzburg-ut.

Në anën tjetër, Chelsea është në urgjecë për pikë, pasi në dy ndeshjet e para kanë marrë vetëm një pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore