Lajme

Miku i Pacollit zgjidhet president në Kenya


William Ruto, zëvendëspresidenti aktual i Kenya-s, është zgjedhur si kreu i ri i shtetit pas votimeve të zhvilluara dhe pas një gare të ngushtë me rivalin e tij, Raila Odinga.

Vetëm 50.5% e votave shkuan për Ruto-n, por mjaftueshëm sa për ta projektuar atë si president i ardhshëm i vendit afrikan.

Kjo fitore është në një lloj mënyre e veçantë edhe për Shqiptarët, pasi Ruto e ka vizituar më herët Kosovën dhe njihet si mik i ngushtë i biznesmenit Behgjet Pacolli.

Fitorja e tij ndërkaq merr akoma më shumë rëndësi, kur akuza të panumërta ka pasur nga Odinga, për shitblerje votash në Kenya dhe për fushatë jo të rregullt.

Nga ana tjetër, ka qenë Juliana Cherera, zëvendësdrejtoresha e Komisionit të Pavarur Zgjedhor, ajo e cila ka thënë se “nuk mund të marrë përgjegjësinë e deklarimit të tanishëm për rezultatin”.

Megjithatë, ajo u ka bërë thirrje kenianëve të rrijnë të qetë dhe të presin rezultatin zyrtar të publikuar, me fituesin përkatës.

Ruto, 55 vjeçar, garonte për herë të parë për postin e lartë.

Ai shërbeu si zëvendëspresident për 10 vjet, por ra nga posti së bashku me ish-kreun e shtetit, Uhuru Kenyatta.

Ky i fundit, pavarësisht bashkëpunimit afatgjatë me Ruton, mbështeti Odingan si pasardhës.

Por, fitorja, shkoi për Ruton.

Një urim i menjëhershëm ka ardhur edhe nga vetë Pacolli, i cili e ka uruar Ruton përmes një fotoje, duke theksuar miqësinë e ngushtë mes tyre.

Po ashtu, ai pret një bashkëpunim me të, për një kapitull të ri për të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore