Lajme

Mijëra të arrestuar pas dënimit të Navalny-t


Policia ruse blindon Moskën

Thuajse 1 mijë e 400 qytetarë janë arrestuar gjatë të martës së 2 shkurtit, pas protestave për lirimin e kreut të opozitës ruse, Alexei Navalny. Në Moskë, policia u filmua duke ushtruar dhunë mbi demonstruesit.

Navalny, u dënua nga Gjykata e Moskës me dy vite e tetë muaj burgim, për mos respektimin e detyrimit të paraqitjes, të vendosur ndaj tij në vitin 2017.

Mbështetësit e Navalny-t qëndruan jashtë gjykatës, duke brohoritur me koret “lironi Navalny-n”. Agjencitë e pavarura të lajmeve në Rusi, raportuan menjëherë dhunën e ushtruar ndaj tyre. Në media sociale pati video të shumta që shfaqnin policinë ruse, teksa godiste protestuesit.

Një gazetar është sulmuar me shkop gome nga një efektiv. Një organizatë e të drejtave të njeriut, raportoi mbi 1 mijë e 100 persona të arrestuar në Moskë dhe rreth 250 të tjerë në Shën Petërburg.

Nuk ka pasur asnjë koment ndërkohë nga autoritetet ruse. As shifër zyrtare të arrestuarish nuk ka. Këta protestues të arrestuar, i shtohen mbi 10 mijë të tjerëve, të cilët u arrestuan të dielat e 24 dhe 31 janarit, pas protestave të dhunshme në mbi 100 qytete ruse.

Ndërkombëtaret ndërkohë, kanë dënuar dënimin e Navalny-t.

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, ka kërkuar “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Navalny-t”. “SHBA-ja është shumë e shqetësuar mbi çfarë po ndodh në Rusi. Të zbatohen të drejtat e njeriut dhe të lirohen të gjithë të burgosurit”, shkruan Blinken-i në Twitter.

“Dënimi i Navalny-t bie ndesh me ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, shkruan Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Navalny duhet të lirohet menjëherë”.

Në të njëjtën linjë, kanë qenë edhe reagimet e krerëve të vendeve të BE-së. Qëndrimi i tyre, së bashku me atë të Departamentit të Shtetit Amerikan, priret drejt sanksionimit të Rusisë, nëse këto kërkesa nuk dëgjohen.

Një reagim ka pasur edhe nga kreu i ri Unionit Kristian Demokrat (CDU) në Gjermani, Armin Laschet. “Rusia është pjesëtare e Këshillit të Evropës. Vendimi i sotëm për Navalny-n, është kundër vlerave dhe parimeve evropiane, me të cilat Rusia ka rënë dakord. Ai duhet të lirohet menjëherë”, shkruan Laschet-i.

Ky reagim i kreut të ri të CDU-së, është surprizues, për faktin se ai njihet si politikan me qasje pro ruse. Ky mund të jetë një mesazh se, qëndrimi i Laschet-it, mund të ndyshojë nëse ai pason kancelaren Angela Merkel në drejtimin e Gjermanisë.

Nuk ka pasur reagime të qarta nga Kina ndërkohë, mbi situatën politike ruse. Pekini zyrtar është aleat strategjik i Kremlinit.

Mbetet për t’u parë veprimi i unionit evropian dhe SHBA-së ndaj Rusisë. Sanskione janë paralajmëruar, por ende nuk është marrë asnjë hap konkret.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore